Peruja zgjedh Presidenten e parë femër pas arrestimit të Castillo-s: Ish-presidenti akuzohet për grusht shteti

Amerika

Peruja zgjedh Presidenten e parë femër pas arrestimit të Castillo-s: Ish-presidenti akuzohet për grusht shteti

Më: 8 dhjetor 2022 Në ora: 10:42
Dina Boluarte

Peruja ka një Presidente femër për herë të parë, pasi ish-Presidenti Pedro Castillo u fajësua se u përpoq të shpërbënte Parlamentin.

Dina Boluarte, më parë nënkryetare, u betua pas një dite dramatike në Lima, të mërkurën.

Më herët gjatë ditës së djeshme Castillo kishte thënë se po zëvendësonte Kongresin me një “qeveri të jashtëzakonshme emergjente.”Por ligjvënësit e injoruan thirrjen dhe një një mbledhje urgjente e akuzuan për shpërbërje të Parlamentit.

Më pas ai u arrestua dhe u akuzua për rebelim.

Raportet në mediat lokale thonë se ai po shkonte drejt ambasadës meksikane në kryeqytet kur u arrestua.

Zonja Boluarte, një avokate 60-vjeçare, tha se do të qeverisë deri në korrik të vitit 2026, kur do të kishte përfunduar presidenca e Castillo.

Duke folur pas betimit, ajo bëri thirrje për një armëpushim politik për të kapërcyer krizën që ka kapluar vendin.

“Ajo që unë kërkoj është një hapësirë, një kohë për të shpëtuar vendin,” tha ajo.

Zinxhiri dramatik i ngjarjeve të së mërkurës filloi me një fjalim të Presidentit Pedro Castillo në televizionin kombëtar në të cilin ai shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.

Ai njoftoi se do të shpërndante Kongresin e kontrolluar nga opozita, një veprim i cili solli tronditje në Peru, disa ministra dhanë dorëheqjen në shenjë protste.

Kreu i Gjykatës Kushtetuese e akuzoi atë për fillimin e një grushti shteti, ndërsa SHBA-ja bëri thirrje me forcë që Castillo të anulonte vendimin e tij.

Policia dhe forcat e armatosura të Perusë lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën thanë se respektonin rendin kushtetues.

Peruja ka kaluar një periudhë të vështirë politike, me shumë presidentë të rrëzuar nga detyra vitet e fundit. Në vitin 2020, ajo kishte tre presidentë brenda pesë ditëve.

Castillo, i cili është një ish-mësues shkolle, u zgjodh në qershor 2021 në krye të vendit.

Ai kohët e fundit ishte përballur me akuza për korrupsion, të cilat tha se ishin pjesë e një komploti për ta rrëzuar atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat