Karvani i emigrantëve gati të kalojë kufirin jugor të SHBA-së

Amerika

Karvani i emigrantëve gati të kalojë kufirin jugor të SHBA-së

Më: 16 dhjetor 2022 Në ora: 15:35
Foto ilustrim

Mijëra emigrantë janë mbledhur në qytetin kufitar meksikan të Ciudad Juárez në pritje të skadimit të një vendimi të miratuar në kohën e administrates së presidentit Donald Trump. Vendimi i njohur si “Titulli 42”, lejon dëbimin e shpejtë të emigrantëve të kapur në kufirin e SHBA-së. Ligjvënësit amerikanë dhe zyrtarët e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit thonë se po përgatiten për një fluks të madh emigrantësh nëse urdhëri ekzekutiv përfundon më 21 dhjetor. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, César Contreras raporton. 

Shumë emigrantë vazhdojnë të mbërrijnë në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Disa mijëra u vetë dorëzuan tek zyrtarët e Doganave në Teksas, me shpresën për të nisur procesin për azil politik.

Ky grup arriti në El Paso, disa ditë para përfundimit të vendimit të njohur si “Titulli 42”.

Një gjykatës amerikan mori vendim muajin e kaluar t’i japë fund politikës së kthimit të migrantëve të kapur në kufi, ndërsa emigrantët në anën meksikane të kufirit po presin 21 dhjetorin kur skadon urdhri ekzekutiv.

María Galván, guvernatore e shtetit meksikan të Çihuahuas, ku po qëndrojnë emigrantët, thotë se situata është rënduar.

Ajo kritikoi qeverinë meksikane që dërgoi 1500 migrantë me autobuzë në qytetin e saj, pa ofruar ndonjë ndihmë për ta.

Emigrantët nga ana e tyre janë të kënaqur me autoritetet meksikane.

“Autoritetet meksikane na ndihmuan. Arritëm në destinacionin tonë të sigurt. Ata u kujdesën shumë për ne”, tha Joel Mota emigrant domenikan.

“Ajo që kaluam ishte e vështirë, por populli meksikan na hapi dyert dhe na ndihmoi me gjithçka”, tha Oscar Reyes, emigrant nga Nikaragua.

Pasi qëndrimit disa orësh në strehimoret e qytetit meksikan Ciudad Juárez, qindra emigrantë vendosën të kalonin kufirin.

“Askush nuk detyrohet të qëndrojë këtu. Pasi të mbërrijnë, ushqehen dhe pushojnë. Ne do t'u lexojmë rregulloret dhe do të flasim për shërbimet që u ofron qeveria meksikane. Më pas secila familje do të vendosë se çfarë do të bëjë”, tha Ana Laura Rodela nga Qendra e Integrimit të Migrantëve, “Leona Vicario”.

Rreth 2,100 emigrantë regjistrohen çdo ditë nga autoritetet amerikane, sipas Orlando Marrero Rubio, zëdhënës i Patrullës Kufitare në sektorin El Paso të Teksasit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat