Çka pas dështimit të zgjedhjes së kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve?

Amerika

Çka pas dështimit të zgjedhjes së kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve?

Më: 4 janar 2023 Në ora: 18:00
Udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, teksa flet me kolegët republikanë gjatë votimit për zgjedhjen e kryetarit të Dhomës në ditën e parë të Kongresit të 118-të në Uashington. 3 janar 2023.

Ajo që pritej të ishte një ditë triumfi për republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, u shndërrua në kaos të martën, pasi lufta ndërpartiake se kush duhet t'i udhëheqë ata përfundoi pa asnjë folës në foltore.

Republikanët nuk arritën të zgjidhnin kryetarin, pasi Kevin McCarthy nuk arriti të kapërcejë kundërshtimin nga krahu i djathtë i partisë së tij, pas tri rundesh votimi që zgjatën disa orë, në ditën e parë të Kongresit të ri.

Kundërshtimi i 20 ligjvënësve konservatorë, që votuan kundër kandidaturës së kolegut të tyre republikan, pengoi betimin ceremonial të 435 anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Të mërkurën ligjvënësit amerikanë do të përpiqen edhe një herë të zgjedhin një kryetar, pavarësisht pasigurisë se si McCarthy mund të rikthehet në garë - pasi ai u bë kandidati i parë në 100 vjet që nuk arriti të zgjidhet kryetar, përderisa partia e tij ka shumicën.

Republikanët kanë fituar një shumicë të ngushtë, 222-212, në Dhomën e Përfaqësuesve, pas zgjedhjeve të mesmandatit, ndërsa një vend është momentalisht vakant.

Pse nuk u zgjodh kryetari?

Për t'u zgjedhur kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve duhen 218 vota, nga 435 ulëse. McCarthy mori 203 vota në dy rundet e para të votimit në ditën e parë dhe rezultoi edhe më keq në rundin e tretë, me vetëm 202 vota.

Një zë në rritje i kundërshtarëve të tij, paralajmëroi për muaj të tërë se republikani nga Kalifornia nuk kishte votat për të fituar postin e kryetarit të Dhomës. Si përgjigje, McCarthy negocioi me përfaqësuesit Andy Biggs, Scott Perry dhe Matt Gaetz, për të fituar mbështetjen e tyre.

Negociatat vazhduan deri të hënën mbrëma kur anëtarët e grupit ultra-konservator të Freedom Caucus i paraqitën McCarthyt ofertën e tyre përfundimtare, e cila përfshinte kërkesa për detyra të caktuara në këmbim të votave të tyre.

McCarthy i refuzoi ato, duke thënë se ai kishte shkuar mjaft larg tashmë.

"Në dy muajt e fundit ne kemi punuar së bashku për të zhvilluar rregulla që fuqizojnë të gjithë anëtarët, por ne nuk fuqizojmë anëtarë të caktuar mbi të tjerët", u tha McCarthy gazetarëve të martën.

Si rezultat, ata dhe dhjetëra të tjerë e kundërshtuan hapur zgjedhjen e tij.

Çka domethënë kjo për Dhomën e Përfaqësuesve?

Pa kryetar, Dhoma nuk mund të funksionojë, pasi ai person në mënyrë efektive shërben si kryesues i saj dhe drejtues administrativ i institucionit.

Betimi i anëtarëve, emërimi i kryetarëve të komisioneve, përfshirja në procedurat në terren dhe nisja e hetimeve të mbikëqyrjes - do të shtyhen të gjitha - derisa kryetari të zgjidhet dhe të betohet.

"Vëmendja tani duhet të vihet te këta 20 [republikanë] që po e ndalojnë punën e Kongresit, që ne u zgjodhëm për ta bërë", tha republikani Don Bacon. “Tani është në dorën e tyre”.

Si do të vazhdohet tutje?

Mbetet e paqartë kur dhe nëse McCarthy e kalon pragun për t'u bërë kryetar i ardhshëm i Dhomës. Numri aktual i republikanëve që kanë premtuar mbështetje për kandidatët tjerë është 20, me disa që dyshojnë se numri do të rritet.

Dhoma e Përfaqësuesve do të fillojë një rund tjetër votimi për kryetar mesditën e së mërkurës. Pasi Dhoma të ketë kuorum - që do të thotë se numri minimal i anëtarëve duhet të jetë i pranishëm për të vazhduar – emrat e të propozuarve për kryetar nga secila parti do të lexohen me zë të lartë, përpara një votimi për të zgjedhur kryetarin e ri.

Të martën, republikanët që kundërshtuan McCarthyn nominuan një mori kandidatësh tjerë, përfshirë deputetin Jim Jordan të Ohajos dhe ish-deputetin Lee Zeldin të Nju Jorkut.

Sigurisht, asnjëri prej tyre nuk e arriti shumicën e votave, por kjo mjaftoi për të hequr mbështetjen nga McCarthy, i cili me shumicën e ngushtë të republikanëve 222-213, nuk mund të përballojë të humbasë më shumë vota.

Kandidati, për t'u bërë kryetar, ka nevojë për shumicën e votave nga anëtarët e Dhomës që janë të pranishëm dhe votojnë. Çdo ligjvënës që është "i pranishëm" ul numrin e përgjithshëm të nevojshëm për të arritur shumicën.

Nëse McCarthy del përsëri në votim të mërkurën, votimi do të përsëritet derisa të ketë një shumicë ose të miratohet një mocion për shtyrje.

A ka ndodhur kjo ndonjëherë më parë?

Hera e fundit që Dhoma e Përfaqësuesve nuk zgjodhi kryetarin në votimin e parë ishte viti 1923, kur zgjedhjet zgjatën në nëntë runde votimi.

Në atë kohë, republikanët kishin fituar shumicën, pavarësisht se humbën 77 vende, duke zvogëluar diferencën e tyre ndaj demokratëve nga 171 në vetëm 18 vende. Partia që kishte shumicën kishte nominuar republikanin aktual, Frederick Gillett, në këtë pozitë, por disa kandidatë të tjerë, duke përfshirë një demokrat morën vota gjatë procesit të votimit.

Kjo rezultoi në një seri votimesh gjatë që zgjatën tri ditë, përpara se udhëheqësi i shumicës së Dhomës së Përfaqësuesve, Nicholas Longworth, të mbante një takim urgjent me ata që kundërshtonin zgjedhjen e kryetarit të ri. Shqetësimi i tyre, ngjashëm me ato kundër McCarthy, ishte mbi një sërë ndryshimesh të rregullave, që ata besonin se meritonin një shqyrtim të drejtë.

Longworth e mori si obligim këtë kërkesë dhe të nesërmen Gillett mblodhi 215 votat që i nevojiteshin për t'u zgjedhur kryetar./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat