Stuhia masive godet bregdetin në Kaliforni, urdhërohen evakuime të banorëve

Amerika

Stuhia masive godet bregdetin në Kaliforni, urdhërohen evakuime të banorëve

Më: 5 janar 2023 Në ora: 19:43
Foto ilustrim

Shiu i dendur dhe erërat e fuqishme po godasin zonat bregdetare të Kalifornisë veriore dhe sinoptikanët kanë paralajmëruar rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.

Moti më i ashpër pritet në orët në vijim si pasojë e një sistemi të fuqishëm stuhish të njohur si ciklon bombë.

Të paktën dy kanë vdekur, duke përfshirë një fëmijë të vogël dhe mijëra persona janë pa energji elektrike.

Kalifornia është në gjendje të jashtëzakonshme që nga e mërkura.

Pjesa më e madhe e shtetit është goditur nga lumenjtë atmosferikë, një rrymë ajrore që bart lagështi të dendur nga oqeani, duke sjellë shi të dendur në zonat e ulëta, erëra të fuqishme në San Francisko dhe borë në Sierra Nevadas.

Shërbimi Kombëtar i Motit tha se Kalifornia do të vazhdojë të ndikohet nga kushtet atmosferike të lumenjve deri të enjten, “me reshje të dendura deri të tepërta, përmbytje me rrjedha mbeturinash dhe rrëshqitje të dheut pranë zonave të djegieve të fundit, dëborë të madhe malore dhe erëra të forta”.

Urdhrat e evakuimit dhe këshillimet ishin në fuqi në pjesë të Kalifornisë veriore dhe autoritetet lokale kanë paralajmëruar për kërcënime ndaj jetës dhe pronës, veçanërisht rreth San Franciskos dhe Sacramentos.

“Përmbytjet janë të pashmangshme”, tha të mërkurën kryebashkiakia e San Franciskos, London Breed.

“Po bie fort dhe nuk do të pushojë së shpejti”, tha ajo. “Ne duam që njerëzit të qëndrojnë brenda, ne duam që ata të qëndrojnë në shtëpi.”

Mediat lokale raportuan se një fëmijë, që besohet të jetë rreth dy vjeç, vdiq në kontenë Sonoma në veri të San Franciskos kur një pemë ra në shtëpinë e tij.

Një grua 19-vjeçare gjithashtu vdiq në një qark aty pranë pasi makina e saj rrëshqiti në një rrugë të përmbytur dhe u përplas me një shtyllë ndriçimi, sipas raporteve.

Rreth 180,000 njerëz në Kaliforni kanë mbetur pa energji elektrike që nga mëngjesi i së enjtes për shkak të stuhisë – shumë prej të cilëve u përqendruan në bregdetin verior të shtetit.

Parashikuesit kanë paralajmëruar se stuhia do të shndërrohet në një ciklon bombë, një lloj stuhie shpërthyese dhe ka të ngjarë të jetë vdekjeprurëse. Ata shtuan se fryrjet e erës pritej të rrëzonin pemët dhe të shkaktonin ndërprerje të energjisë elektrike.

Baret dhe restorantet u mbyllën në San Francisko të mërkurën, pasi zyrtarët kanë paralajmëruar kundër drejtimit të automjeteve në rrugë. Gjithashtu janë anuluar dhjetëra fluturime jashtë shtetit.

Ndërkohë banorëve u janë shpërndarë thasë me rërë për të ndihmuar në frenimin e përmbytjeve.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për këtë,” i tha Deepak Srivastava partnerit amerikan të BBC-së CBS në San Francisko.

“(Unë) sapo kalova gjithë ditën duke vendosur thasë me rërë përpara garazhit në çdo pikë hyrëse dhe ne thjesht po kryqëzojmë gishtat dhe shpresojmë se nuk do të kemi më shumë dëme,” tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat