Emigracioni, tregtia dhe ndryshimet klimatike në epiqendër të takimit të nivelit të lartë në Meksikë

Amerika

Emigracioni, tregtia dhe ndryshimet klimatike në epiqendër të takimit të nivelit të lartë në Meksikë

Më: 10 janar 2023 Në ora: 17:09
Presidenti amerikan Joe Biden

Presidenti amerikan Joe Biden, ai meksikan Andres Manuel Lopez Obrador dhe Kryeministri kanadez Justin Trudeau po takohen në Meksikë për një seri bisedimesh mbi emigracionin, tregtinë dhe ndryshimet klimatike. Tre udhëheqësit po përpiqen të ulin tensionet që kanë përçarë kontinentin amerikan. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se ata po ndërmarrin hapa për të mbështetur industrinë e gjysmëpërçuesve në Amerikën e Veriut, do të rrisin bashkëpunimin në luftën ndaj drogave, si dhe do të ofrojnë opsione më të mira ligjore për emigrantët. Megjithatë, tensionet u shfaqën që në takimin dypalësh mes presidentit meksikan dhe Presidentit Biden.

Gjatë takimit dypalësh, Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador sfidoi Presidentin amerikan Joe Biden duke i kërkuar t’i jepej fund “përçmimit”, siç e quajti ai, ndaj Amerikës Latine dhe Karaibeve.

Komentet ishin në kontrast të fortë me shprehjet miqësore treguar paraprakisht në publik kur presidentët Obrador dhe Biden buzëqeshën, u përqafuan dhe shtrënguan duart për kamerat. Por sapo u ulën në atë që njihet si salla e Pallatit Kombëtar, rrethuar nga delegacionet me zyrtarë të nivelit të lartë, nuk u desh shumë që të rishfaqeshin tensionet e vjetra.

“Mendoj se ky është momenti për ne që të vendosim t’i japim fund kësaj braktisjeje, këtij përçmimi dhe kësaj harrese ndaj Amerikës Latine dhe Karaibeve, që është kundër politikës së fqinjësisë së mirë të gjigandit të lirisë, Franklin Delano Roosevelt. Duke nisur nga ju, pasi nuk mund të ketë udhëheqës tjetër që mund ta realizojë këtë gjë; për një fillim të ri me ju zoti President, për vendet dhe popujt e kontinentit, me respekt, ndihmë dhe asistencë të ndërsjellë”, tha Presidenti meksikan Obrador.

Presidenti Biden u përgjigj duke përmendur miliarda dollarë që Shtetet e Bashkuara japin në formë ndihmash në mbarë botën, duke thënë se “fatkeqësisht përgjegjësia jonë nuk mbaron me hemisferën perëndimore”.

“Siç e dini, Shtetet e Bashkuara japin më shumë ndihma ndërkombëtare se të gjitha vendet e tjera të marra së bashku, jo vetëm për këtë hemisferë, por për të gjithë botën. Fatkeqësisht, përgjegjësia jonë nuk përfundon thjesht në Hemisferën Perëndimore, ajo lidhet me Evropën Qendrore, Azinë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën. Do të dëshiroja që të ishim vetëm diku të përqendruar, por kemi një angazhim të shumëfishtë”, tha Presidenti Biden.

Megjithëse të dy udhëheqësit u zotuan të punojnë së bashku, tensionet ishin të dukshme edhe në prani të gazetarëve. Takimi u pasua me një darkë me pjesëmarrjen edhe të Kryeministrit kanadez Justin Trudeau.

Ky takim i nivelit të lartë është zhvilluar ndër vite, megjithëse pati një pauzë gjatë periudhës kur president ishte Donald Trump. Megjithë lidhjet e thella diplomatike dhe ekonomike, mes vendeve janë shfaqur tensione të reja. Të tre vendet po hasin vështirësi për t’u përballur me fluksin e imigrantëve që shkojnë drejt Amerikës së Veriut, si dhe për të goditur trafikantët që përfitojnë duke bindur njerëzit që të ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm drejt Shteteve të Bashkuara./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat