​SHBA: Rritja vjetore e çmimeve të konsumit më e ngadalta që nga tetori 2021

Amerika

​SHBA: Rritja vjetore e çmimeve të konsumit më e ngadalta që nga tetori 2021

Më: 12 janar 2023 Në ora: 20:40
Ilustrim

Një raport i shumëpritur i publikuar sot nga Departamenti i Punës tregoi një rënie të çmimeve të konsumit në SHBA, në dhjetor.

Departamenti i Punës tha se indeksi i çmimeve të konsumit u ul me 0,1% në dhjetor, pasi një rritjeje me 0,1% në nëntor.

Raporti tregoi gjithashtu se norma vjetore e rritjes së çmimeve të konsumit u ngadalësua në 6,5% në dhjetor krahasuar me 7,1% në nëntor. Rritja vjetore ishte më e ngadalta që nga tetori 2021.

“Fed, Sistemi i Rezervës Federale, nuk do të ndalojë rritjen e normave të interesit derisa të shohë prova shoqëruese të një lehtësimi të kushteve të tregut të punës dhe rritjes së pagave”, tha Paul Ashworth, kryeekonomist i Amerikës së Veriut, në Capital Economics.

Rënia modeste mujore e çmimeve të konsumit erdhi pasi çmimet e benzinës ranë me 9,4% në dhjetor, pas rënies me 2,0% në nëntor.

Rënia e çmimeve të benzinës ndihmoi në kompensimin e rritjes së vazhdueshme të çmimeve të strehimit, të cilat u rritën me 0,8% në dhjetor, pas një rritjeje me 0,6% në nëntor.

Duke përjashtuar çmimet e ushqimeve dhe energjisë, çmimet bazë të konsumit u rritën me 0,3% në dhjetor pas një rritjeje prej 0,2% në nëntor. Rritja përputhet me vlerësimet e ekonomistëve.

Norma vjetore e rritjes së çmimeve bazë u ngadalësua në 5,7% në dhjetor nga 6% në nëntor. Rritja nga viti në vit ishte gjithashtu në përputhje me pritshmëritë e ekonomistëve./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat