​Trazirat në Brazil, do të hetohet edhe ish-presidenti Bolsonaro

Amerika

​Trazirat në Brazil, do të hetohet edhe ish-presidenti Bolsonaro

Më: 14 janar 2023 Në ora: 08:58
Jair Bolsonaro

Gjykata e Lartë e Brazilit ka dhënë lejen për të përfshirë ish-presidentin e krahut të djathtë, Jair Bolsonaro, në hetimin për sulmin ndaj ndërtesave qeveritare në Brazilia.

Është hera e parë që Bolsonaro akuzohet ndër personat që mund të jenë përgjegjës për trazirat e 8 janarit. Hetimi vjen disa ditë pasi Bolsonaro postoi një video duke vënë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve presidenciale të tetorit.

Prokurorët thanë se Bolsonaro mund të ketë nxitur krimin duke bërë pretendime të tilla. Ata i kërkuan Gjykatës së Lartë që të përfshijë ish-presidentin në hetim.

Videoja e Bolsonaro pretendonte se presidenti Luiz Inacio Lula da Silva nuk u votua në detyrë, por u zgjodh nga Gjykata e Lartë, si dhe autoriteti zgjedhor i Brazilit.

Videoja u postua pas trazirave të së dielës dhe u fshi më vonë, por zyra e prokurorit të përgjithshëm argumentoi se përmbajtja e saj ishte e mjaftueshme për të justifikuar hetimin paraprak ndaj Bolsonaros.

Gjykatësi i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes, njoftoi se Bolsonaro do të përfshihet në hetim për nxitje të trazirave.

"Figurat publike që vazhdojnë të komplotojnë kundër demokracisë do të mbahen përgjegjës”, tha Justice de Moraes.

Mijëra mbështetës radikalë të Bolsonaros, të cilët vazhdojnë të pretendojnë se zgjedhjet ishin të manipuluara, sulmuan Gjykatën e Lartë të vendit, Kongresin dhe pallatin presidencial të dielën.

Ata kishin ndërtuar një kamp rreth kryeqytetit Brazilia për javë të tëra duke bërë thirrje për një grusht ushtarak shteti.

Bolsonaro është shtruar në një spital në Florida me dhimbje barku, tha gruaja e tij, raportoi BBC.

Ai u largua nga Brazili për në Shtetet e Bashkuara në fund të dhjetorit, pasi nuk pranoi të merrte pjesë në dorëzimin e pushtetit tek Lula.

Shumë biznesmenë dhe zyrtarë po hetohen, përfshirë edhe ish-shefin e sigurisë së Brazilias, Anderson Torres, i cili fluturoi në SHBA përpara trazirave.

Të enjten, policia bastisi shtëpinë e tij ku gjeti një dokument në të cilin bëhej fjalë për përpjekje për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.

Torres argumentoi se dokumenti është nxjerrë jashtë kontekstit, por ministri i Drejtësisë Flavio Dino ka thënë se ai duhet të dorëzohet deri të hënën ose do të përballet me ekstradimin.

Më herët, Lula akuzoi aleatët e Bolsonaros se ndihmuan në sulmin ndaj pallatit presidencial. Më shumë se 1200 persona janë arrestuar dhe akuzohen në lidhje me trazirat në Kongresin e Brazilit.

Tashmë janë lëshuar urdhër-arreste për disa zyrtarë të lartë të akuzuar si "përgjegjës për veprimet dhe mosveprimet" që çuan në trazira. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat