REL/ Biden: SHBA-ja është e vetmja që del më e fortë nga krizat

Amerika

REL/ Biden: SHBA-ja është e vetmja që del më e fortë nga krizat

Më: 8 shkurt 2023 Në ora: 07:17
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përshëndeti rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane dhe krijimin e, siç tha, 12 milionë vendeve të reja të punës.

Në një fjalim drejtuar kombit, Biden tha se SHBA-ja është vendi i vetëm në botë që del “më i fortë” nga krizat.

Sot, [pandemia] COVID-19 nuk e kontrollon më jetën tonë. Dy vjet më parë, demokracia jonë është përballur me kërcënimin më të madh që nga lufta civile. Sot, edhe pse nën sulm, demokracia jonë mbetet e palëkundur dhe e pathyeshme”, tha ai.

Presidenti amerikan tha se, në dy vjetët e fundit, administrata e tij ka arritur “të krijojë një rekord prej 12 milionë vendesh të reja pune”. Këtë, sipas tij, nuk e ka arritur asnjë president tjetër as brenda mandatit katërvjeçar.

Plani im ekonomik ka të bëjë me investimet në vende dhe njerëz që janë harruar. Mes trazirave ekonomike të katër dekadave të fundit, shumë njerëz janë lënë pas ose janë trajtuar si të padukshëm”, tha Biden.

“Ne po ndërtojmë një ekonomi ku askush nuk mbetet prapa”.

Biznesi po kthehet. Krenaria po kthehet për shkak të zgjedhjeve që kemi bërë gjatë viteve të fundit”, tha ai.

Fokusi te prodhimet vendore

Presidenti paralajmëroi futjen e një standardi të ri në ekonominë amerikane, që kërkon që të gjitha materialet e ndërtimit, të përdorura në projektet federale të infrastrukturës, të prodhohen në SHBA.

“Druri, qelqi, gipsi, kabllot me fibra optike... rrugët dhe urat amerikane do të bëhen gjithashtu nga produktet amerikane”, tha Biden përpara Kongresit të ndarë - në Dhomën e Përfaqësuesve që udhëhiqet nga republikanët dhe në Senatin e udhëhequr nga demokratët.

Për miqtë e mi republikanë: nëse kemi mundur të punojmë së bashku në Kongresin e fundit, nuk ka asnjë arsye që nuk mund të punojmë së bashku në këtë Kongres të ri”, tha Biden gjatë fjalimit të tij 72-minutësh.

Republikanët e kanë akuzuar Qeverinë e tij se është më e preokupuar me “fantazitë” sesa me “realitetet e vështira me të cilat përballen amerikanët”.

Mbështetje Ukrainës “aq kohë sa duhet”

Duke u ndalur te politika e jashtme, Biden tha se SHBA-ja është unanime në mbështetjen për Ukrainën - e cila ndodhet nën pushtimin rus - dhe se do të vazhdojë ta mbështesë atë “për aq kohë sa duhet”.

Biden tha se Qeveria e tij e bashkoi NATO-n, ndërtoi një koalicion global dhe u ngrit kundër agresionit të presidentit rus, Vladimir Putin.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të NATO-s kanë ofruar miliarda dollarë ndihma ushtarake - përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore - për të forcuar ushtrinë ukrainase.

Biden kujtoi se fjalimi i tij para ligjvënësve amerikanë, vitin e kaluar, është bërë vetëm disa ditë pasi Putin ka nisur “sulmin brutal kundër Ukrainës”. Sipas tij, ky ka qenë edhe një test për botën.

“A do t’i mbështesim ne parimet më themelore? A do ta mbështesim sovranitetin? A do ta mbështesim të drejtën e njerëzve për të jetuar të lirë nga tirania? A do të ngrihemi për mbrojtjen e demokracisë?”, tha Biden.

Putin e ka kritikuar ndihmën e Perëndimit për Ukrainën, duke e konsideruar si kërcënim kundër Rusisë, dhe ka thënë se Rusia do të mbizotërojë në Ukrainë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat