Shtetet e Bashkuara godasin dhe rrëzojnë një objekt të ri fluturues mbi Alaskë

Amerika

Shtetet e Bashkuara godasin dhe rrëzojnë një objekt të ri fluturues mbi Alaskë

Më: 10 shkurt 2023 Në ora: 23:43
Foto ilustrim

UASHINGTON – Me urdhër të Presidentit Joe Biden, një avion luftarak amerikan goditi dhe rrëzoi të premten një objekt që fluturonte në lartësi të mëdha mbi qiejt e Alaskës. Objekti kishte përmasat e një makine të vogël, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë John Kirby u tha gazetarëve se shumë detaje janë ende të panjohura për këtë objekt, por se Shtetet e Bashkuara pritet ta marrin objektin, i cili ra në ujërat territoriale amerikane.

Nuk është e qartë se nga ka ardhur objekti, tha zoti Kirby. “Nuk e dimë në pronësi të kujt është ky objekt”, tha ai.

Ai tha se objekti u rrëzua në pjesën verilindore të Alaskës, pranë kufirit me Kanadanë. Ai shtoi se sipas vlerësimit të pilotit amerikan, nuk pati asnjë person në bord.

Më 4 shkurt, Shtetet e Bashkuara goditën dhe rrëzuan një balonë spiune kineze që kalonte në lartësi të mëdha përgjatë Shteteve të Bashkuara.

Zoti Kirby u tregua i kujdesshëm që të mos e klasifikonte objektin si një balonë.

Ai tha se të dhënat e para për këtë objekt të ri dhe trajektoren e tij u bënë të ditura për Shtetet e Bashkuara mbrëmjen e së enjtes.

Edhe Pentagoni konfirmoi se objekti që po fluturonte në lartësi të madhe u rrëzua mbi Alaskë me një raketë që u gjuajt nga një avion F-22.

Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Pat Ryder u tha gazetarëve se objekti, me madhësinë e një makine të vogël dhe që nuk dukej se ishte i manovrueshëm, hyri në hapësirën ajrore amerikane të enjten.

Zoti Ryder shtoi se objekti po ftuturonte në një lartësi prej 12 km kur u rrëzua dhe përbente kërcënim potencial për trafikun ajror civil./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat