Senatorja Feinstein nuk do të kërkojë rizgjedhjen

Amerika

Senatorja Feinstein nuk do të kërkojë rizgjedhjen

Më: 15 shkurt 2023 Në ora: 06:16
Senatorja demokrate Dianne Feinstein

Senatorja amerikane Dianne Feinstein, një pioniere për gratë në politikën amerikane, njoftoi të martën se nuk do të kërkoj rizgjedhjen në vitin 2024, duke hapur rrugën për një garë të ashpër mes demokratëve në Kaliforni.

E zgjedhur për herë të parë në Senat në vitin 1992, 89-vjeçarja Feinstein është ligjvënësja më e moshuar në Kongres. Nën presion gjatë viteve të fundit për të dhënë dorëheqjen, Senatorja Feinstein hodhi poshtë deklaratat e ligjvënësve se kujtesa e saj ishte përkeqësuar.

“Po njoftoj sot se nuk do të kandidoj për rizgjedhje në vitin 2024, por synoj të bëj sa më shumë që të mundem për Kaliforninë deri në fund të vitit të ardhshëm, kur përfundon mandati im”, tha ajo në një deklaratë, ndërsa nuk pranoi të shprehte mbështetje për pasuesin e saj.

Zonja Feinstein do të mbahet mend si figurë udhëheqëse e grave në politikën amerikane, gruaja e parë që sherbeu në krye të bashkisë së San Françiskos, e para që drejtoi Komisionin Juridik të Senatit dhe gruaja që ka sherbyer më gjatë në Senat.

“Kam shërbyer me më shumë senatorë se kushdo. Mund të them se Dianne Feinstein është ndër më të mirët”, tha Presidenti Joe Biden të martën, duke vënë në pah kohën që kanë shërbyer së bashku në Komisionin Juridik të Senatit.

Kalifornia përgjithësisht voton për demokratët dhe shumë politikanë demokratë kanë njoftuar ose lënë të kuptohet se do të kandidojnë për postin e zonjës Feinstein. Mes tyre janë dhe ligjvënësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve Katie Porter dhe Adam Schiff. Zgjedhjet paraprake në Kaliforni zhvillohen më 5 mars të vitit 2024.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, u tha gazetarëve se zonja Feinstein mbajti një fjalim emocionues para senatorëve demokratë, që u vlerësua me një ovacion që zgjati disa minuta.

Ajo është një legjendë”, tha ai. “Ajo lujati rol udhëheqës në çështje të ndryshme, që nga ligjet kundër armëve, çështje të mjedisit, të drejtat e grave dhe shumë të tjera”.

Këtë vit zonja Feinstein pritej të shërbente si presidente “pro tempore”, kreu ceremonial i Senatit dhe i treti në radhë për presidencën, një post që zakonisht i jepet një senatori të lartë të partisë që ka shumicën.

Ajo hoqi dorë nga posti disa muaj pasi Senatori Schumer nuk pranoi të thoshte nëse kishte besim në aftësitë e saj për të shërbyer. Në vend të saj u emërua Senatorja 72-vjeçare Patty Murray.

Ndërsa fitorja në Kaliforni pritet të jetë e sigurtë për demokratët, zgjedhjet e vitit 2024 në shtete si Arizona, Montana, Ohajo dhe Virxhinian Perëndimore pritet të rrezikojnë ruajtjen e shumicës demokrate në Senat në vitin 2025./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat