Problemi i të pastrehëve në kryeqytetin amerikan

Amerika

Problemi i të pastrehëve në kryeqytetin amerikan

Më: 15 shkurt 2023 Në ora: 22:01
Të pastrehët

Plani për të hequr tendat e të pastrehëve në kryeqytetin amerikan ka vënë sërish në qendër të vëmendjes krizën e të pastrehëve. Për të mësuar më shumë mbi sfidat e të pastrehëve kamera e Zërit të Amerikës ishte në një park të Uashingtonit ku janë vendosur shumë të pastrehë në çadra të improvizuara.

Të pastrehët jetojnë nëpër tenda në parqet e kryeqytetit amerikan. Autoritetet federale duan që ato të hiqen gradualisht deri në fund të vitit. Sheshi McPhearson është në listën e parqeve ku nuk do të lejohet vënia e çadrave të të pastrehëve.

Autoritetet e Parkut Kombëtar i thanë Zërit të Amerikës se spastrimi i kësaj zone, vetëm pak minuta larg Shtëpisë së Bardhë, do të përmirësojë sigurinë publike dhe jetët e banorëve përreth. Alisa Griffin, e cila punon aty pranë, thotë se duhet një zgjidhje.

“Zhvendosja e të pastrehëve që nuk kanë se ku shkojnë, nuk është zgjidhje e problemit.”

Zyra e nënkryetarit të bashkisë së Uashingtonit për shërbimet shëndetësore dhe njerëzore thotë se po ofron shërbime për të pastrehët bazuar në nevojat e tyre dhe kushteve që plotësojnë për sherbimet e strehimit.

Daniel Kingery u vendos në Sheshin McPerson pas largimit nga një tjetër park në vitin 2020. Ai thotë se spastrimi i parqeve është strategji e gabuar dhe “banorët” thjesht do të ndërrojnë vend.

“Është një cikël, kur qeveria përpiqet të duket sikur po bën diçka. Ata do ta spastrojnë këtë zonë duke shpërndarë banorët e këtushëm që do të vendosen diku tjetër”.

Sipas përllogaritjeve të qeverisë amerikane, rreth 600 000 vetë ishin të pastrehë vitin e kaluar në të gjithë vendin. Kelly Andreae, e cila drejton organizatën e bamirësisë “Georgetown Ministry Center” thotë se zgjidhja një herë e mirë e problemit kërkon një qasje të plotë.

“Duhet mbështetje për shëndetin mendor, abuzimin me substancat, aftësimit për punë, punësimi dhe të qënit pjesë e komunitetit”.

Në vitin 2020 A. Adekson ishte i pastrehë. Por pasi vendosi të kërkojë ndihmë, tani ai ka banesën e tij dhe është i punësuar.

"E shoh nga këndvështrimi shpirtëror dhe dhembshuria, e të qenit në gjendje për të ndihmuar të pastrehët dhe ndoshta duke u dhënë drejtimin e duhur”.

Rritja e numrit të banesave të përballueshme, ofrimi i kujdesit shëndetësor, aftësimi për punë dhe ndihma ligjore janë strategjitë mbi të cilat po bazohet administrata e Presidentit Biden për të ulur me 25% shkallën e të pastrehëve gjatë dy viteve të ardhshme. Kryebashkiakja e Uashingtonit është zotuar që deri në vitin 2025 të mos ketë më të pastrehë në qytet./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat