Rëndohet gjendja shëndetësore e ish presidentit, vizitorë të shumtë në muzeun “Carter”

Amerika

Rëndohet gjendja shëndetësore e ish presidentit, vizitorë të shumtë në muzeun “Carter”

Më: 22 shkurt 2023 Në ora: 17:57
Xhimi Karter

Ish-presidenti amerikan, Xhimi Karter po kalon momentet e fundit të jetës në shtëpinë e tij në Xhorxhia, nën kujdes profesional mjekësor për mbajtjen nën kontroll të dhimbjeve. Ditën e shtunë qendra “Carter” tha nëpërmjet një deklarate se “98-vjeçari vendosi të kalonte kohën e mbetur në shtëpi me familjen e tij”. Ndërkohë shumë qytetarë amerikanë vlerësojnë figurën e zotit Karter gjatë kohës kur ai ishte president por edhe më pas.

Ndërsa gjendja shëndetësore e ish Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhimi Karter është rënduar dhe po shkon drejt fundit, familja e tij vendosi që momentet e fundit të jetës t’i kalonte në shtëpi në Plainestë, të Xhorxhias, nën kujdes profesional mjekësor për mbajtjen nën kontroll të dhimbjeve.

Qendra “Carter” tha përmes një deklarate të shtunën se pas një numri trajtimesh në spital, zoti Karter “vendosi të vazhdonte trajtimet në shtëpinë e tij në vend që të vazhdonte t’u nënshtrohej ndërhyrjeve të tjera mjekësore. “Ai ka mbështetjen e plotë të familjes dhe ekipit të tij mjekësor”, theksohej në deklaratë.

Pas këtij lajmi vizitorë të shumtë po shkojnë në bibliotekën dhe Muzeun Presidencial “Jimmy Carter” në Atlanta për ta nderuar atë dhe për të mësuar më shumë për jetën e tij.

“Për mua, ndjenja që kam për Xhimi Karter është se ai kishte një zemër të mirë. Ai punonte për njerëzit, ai donte paqen. Ishte një nder që ai të shërbente si president”, thotë Sheri Clayton, vizitore nga Hjustoni.

“Mendoj se ai ishte një nga presidentët më të mirë që kemi pasur, gjatë jetës sime. Mendoj se ai bëri një punë të shkëlqyer si president. Unë mendoj se kauzat e tij kur ka qenë president janë gjithashtu vërtet mbresëlënëse”, thotë Philip Barker, vizitor nga Miçigani.

“Ai ishte më shumë se një president dhe ndoshta kjo është arsyeja pse ai nuk u rizgjodh. Ai nuk mund të luante lojën politike si të gjithë të tjerët, por kujdesej për njerëzit dhe mund ta shihni se sa e rëndësishme është kjo”, thotë Gail Hammill, vizitore nga Miçigani.

“Fakti që presidenti Karter është i sëmurë kjo është një vizitë për të ringjallur kujtimet e tij si president dhe gjithë punën e mirë që ai ka bërë për njerëzimin pas presidencës së tij”, thotë Jenny Multani, vizitore nga Kalifornia.

Ish presidenti Karter, tani 98 vjeçar, ka kaluar me një numër problemesh shëndetësore në vitet e fundit, përfshirë një operacion për trajtimin e një thyerje të legenit në vitin 2019 dhe melanomën në vitin 2015, që ishte përhapur në mëlçi dhe tru.

Karter është i vetmi president amerikan nga Xhorxhia. Ai ka shërbyer në postin e presidentit nga viti 1977 deri në vitin 1981, kur humbi garën përballë republikanit Ronald Reagan.

Pas largimit nga detyra, Xhimi Karter dhe bashkëshortja e tij Rosalynn hapën Qendrën “Carter” dhe për punën e tij në këtë organizatë ai fitoi çmimin Nobel të Paqes. Ai gjithashtu njihet për punën e tij me organizatën “Habitati për Njerëzimin”, e cila ndërton shtëpi për njerëzit në nevojë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat