SHBA: Reagime të ashpra pasi McCarthy i jep qasje kanalit Fox News në filmimet e 6 janarit

Amerika

SHBA: Reagime të ashpra pasi McCarthy i jep qasje kanalit Fox News në filmimet e 6 janarit

Më: 23 shkurt 2023 Në ora: 06:19
Kevin McCarthy

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy po vë në dispozicion të komentatorit të kanalit Fox News, Tucker Carlson mijëra orë video nga kamerat e sigurisë gjatë sulmit të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, një nivel i jashtëzakonshëm qasjeje që demokratët e dënuan menjëherë si një shkelje "e rëndë" të sigurisë, që mund të ketë pasoja të gjera.

Carlson, një komentator politik i djathtë tha se ekipi i tij po shqyrton këtë javë videot në Kapitol dhe po përgatitet për t’ia paraqitur përfundimet audiencës së tij. Por dhënia e qasjes ekskluzive në filmimet sensitive për sigurinë të 6 janarit një figure si zoti Carlson, që është thellësisht i njëanshëm, është një veprim shumë i pazakontë.

Disa kritikë po e thonë se është njësoj sikur t’i jepet një fuqi mbikqyrëse një personaliteti televiziv që ka përhapur teori konspirative rreth sulmit.

"Është një zhvillim tronditës që ngre shqetësime politike, por më e rëndësishmja, shqetësime sigurie," tha ligjvënësi demokrat nga Nju Jorku, Dan Goldman.

Shumë kritikë paralajmërojnë se siguria e Kapitolit mund të rrezikohet, nëse zoti Carlson transmeton videot e sigurisë që detajojnë mënyrën se si protestuesit hynë në ndërtesë dhe itinerarin që përdornin ligjvënësit për t’iu larguar rrezikut.

Dhe një interpretim tepër politik i sulmit në Kapitol mund të përshpejtojë një rishkrim të rrezikshëm të historisë të asaj që ndodhi më 6 janar, kur ish-presidenti Donald Trump inkurajoi një turmë mbështetësish të shkonin në Kapitol për të përmbysur certifikimin e fitores së presidentit Joe Biden.

"I vetmi person të cilit kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve i jep qasje tek orë e orë të tëra pamjesh të ndjeshme sekrete të sigurisë, është personi që bëri një dokumentar të rremë ku përpiqej ta kalonte përgjegjësinë për trazirat e 6 janarit nga Donald Trump mbi të tjerët," tha zoti Goldman.

"Kevin McCarthy i ka dorëzuar sigurinë e Kapitolit Tucker Carlsonit dhe ky është një mendim i frikshëm," shtoi ai.

Zyra e zotit McCarthy nuk pranoi të konfirmonte marrëveshjen, për të cilën njoftoi fillimisht faqja Axios, pavarësisht kërkesave të përsëritura për koment.

Zyrtarët nuk kanë lejuar nxjerrjen e pjesës më të madhe të videove nga sulmi, të qindra kamerave të sigurisë të vendosura brenda dhe përreth Kapitolit, të cilat ofrojnë një pamje të detajuar të skenës së frikshme dhe rrahjes brutale të policisë teksa përpiqeshin të ndalonin sulmuesit.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin e 6 janarit ndoqi një procesi rigoroz duke punuar ngushtë me Policinë e Kapitolit për të shqyrtuar dhe nxjerrë publikisht disa segmente të miratuara të pamjeve si pjesë e seancave dëgjimore publike vitin e kaluar.

Shefi i Policisë së Kapitolit, Tom Manger, lëshoi një deklaratë të shkurtër kur u pyet për publikimin e ri të pamjeve: "Kur Udhëheqja e Kongresit ose Komisionet Mbikëqyrëse të Kongresit kërkojnë gjëra të tilla, ne duhet t'ua japim."

Udhëheqësi demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, e quajti vendimin e zotit McCarthy një "shkelje të rëndë sigurie" që kërcënon sigurinë e atyre që punojnë në Kapitol.

"Është një shembull tjetër i kërcënimit të rëndë që përbën për sigurinë e popullit amerikan shumica ekstreme republikane e MAGAs-s" tha zoti Jeffries në një letër drejtuar kolegëve të Dhomës.

Përfaq. Zoe Lofgren, D-Calif., ish-kryetarja e Komitetit të Administrimit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe një anëtare e komisionit që hetoi 6 janarin, tha:

"Është me të vërtetë një udhërrëfyes për njerëzit që mund të duan të sulmojnë përsëri Kapitolin. Do të ishte ndihmë të madhe për ta", tha ligjvënësja demokrate nga Kalifornia, Zoe Lofgren, ish-anëtare e Komisionit që hetoi sulmin e 6 janarit.

Zoti Carlson, i cili ka bërë një dokumentar që sugjeronte se qeveria federale përdori sulmin në Kapitol nga mbështetësit e zotit Trump si pretekst për të dënuar konservatorët, konfirmoi se ekipi i tij po i analizonte pamjet përpara një transmetimi të mundshëm.

"Ne besojmë se kemi siguruar të drejtën të shohim gjithçka që duam të shohim," tha zoti Carlson, i cili është prezantuesi më i ndjekur i rrjetit Fox News me emisionin e tij të së hënës në mbrëmje.

Gjatë hetimit gati dy-vjeçar, komisioni për 6 janarin, i cili u shpërbë pasi republikanët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, krijoi një dhomë të sigurt në zyrat Kapitolit për personelin që të kontrollonte më shumë se 14,000 orë filmime. Procesi zgjati me muaj, sipas një personi të njohur me hetimin, i cili kërkoi anonimitetin për të diskutuar procesin privat.

Çdo pamje filmike që Komisioni donte të përdorte për dëgjesat publike ose për raportin përfundimtar duhej të miratohej nga Policia e Kapitolit për të shmangur çdo shkelje të sigurisë, tha personi. Nëse policia kishte kundërshtim, Komisioni angazhohej në negociata për të redaktuar çdo përmbajtje që mund të rrezikonte forcën ose mekanizmat që ata përdorin për të mbrojtur Kapitolin dhe ligjvënësit.

Shqetësimet për sigurinë po rriten pasi Policia e Kapitolit ka raportuar një rritje të kërcënimeve ndaj sigurisë së anëtarëve gjatë viteve të fundit, që arrtën kulmin me 6 janarin 2021. Numri i kërcënimeve të mundshme kundër anëtarëve të Kongresit u rrit nga rreth 4000 në vitin 2017 në më shumë se 9,600 në vitin 2021, më pas ra në vitin e kaluar në 7,501.

Republikanë me peshë e mirëpritën vendimin e zotit McCarthy si pjesë e angazhimit të tij për të krijuar një Dhomë më transparente dhe për t'u angazhuar në mbikëqyrje, ndërsa republikanët nisin një seri hetimesh me ndikim të gjerë që prekin shumë aspekte të qeverisë.

Ish-ligjvënësi republikan nga Ilinoi Rodney Davis, tha se derisa vajza e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, regjisorja e dokumentarëve Alexandra Pelosi, ishte në gjendje të filmonte atë ditë dhe të publikonte pamjet e saj, atëherë edhe zoti McCarthy duhet të ishte në gjendje t'i jepte qasje moderatorit Carlson.

Por të tjerë thonë se të dy situatat nuk janë të krahasueshme - orë të panumërta pamjesh janë publikuar nga shumë burime që filmuan atë që ndodhi atë ditë vdekjeprurëse.

"Nuk e kuptoj se si t’i japësh qasje në mijëra orë filmime një figure të debateshme të medias, mund të krahasohet me analizën faktike dhe të kujdesshme që komisioni bëri gjatë atij viti e gjysmë," tha Sandeep Prasanna, një ekspert ligjor në komisionin e 6 janarit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat