DeSantis nënshkruan ligjin që i heq statusin e vetqeverisjes qarkut “Walt Disney World”

Amerika

DeSantis nënshkruan ligjin që i heq statusin e vetqeverisjes qarkut “Walt Disney World”

Më: 27 shkurt 2023 Në ora: 21:17
Ron DeSantisa

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, nënshkroi të hënën një ligj që i heq statusin e vetëqeverisjes distriktit “Walt Disney World”, duke e ndëshkuar kompaninë lidhur me kundërshtimin e saj ndaj të ashtuquajturit ligj “Mos thuaj homoseksual”.

Sipas ligjit, republikani DeSantis duhet të emërojë një bord prej pesë anëtarësh për të mbikëqyrur shërbimet qeveritare që ofron qarku Disney, në pronat e mëdha të parkut të famshëm në Florida.

“Sot mbretërimit të korporatës i erdhi fundi. Qyteti ka një drejtues të ri dhe në rend të ditës do të jetë mbajtja e përgjegjësive”, tha zoti DeSantis gjatë ceremonisë së nënshkrimit në qytetin “Lake Buenavista” në Florida.

Nënshkrimi i ligjit vjen ndërsa zoti DeSantis përgatitet të shpallë kandidaturën për Shtëpinë e Bardhë, duke shënuar një fitore legjislative të rërndësishme për një guvernator. Kritikët thonë se shfrytëzimi i ndarjeve kulturore dhe politike e ka vënë atë në ballë të politikës kombëtare republikane.

Procesi i heqjes së statusit të vetëqeverisjes së qarkut Disney filloi vitin e kaluar kur korporata e përballur me presionin e madh e kundërshtoi ligjin “Mos thuaj homoseksual”, i cili i ndalon institucionet që të japin udhëzime për orientimin seksual dhe identitet gjinor për grupmoshën e fëmijëve që nga kopshtet e deri në klasën e tretë si dhe mësimin e lëndëve që cilësohen jo të përshtatshme për moshën.

Guvernatori udhëzoi ligjvënësit republikanë, që kanë shumicën në legjislaturën e Floridës, që përmes një sesioni të posaçëm t’i heqin korporatës Disney të drejtën e vetëqeverisjes, duke filluar një proces ristrukturimi të ndjekur nga afër.

Zoti DeSantis dhe kritikë të tjerë republikanë e dënuan qëndrimin e firmës Disney kundër ligjit për arsimin, duke e cilësuar atë si “përhapës së një ideologjie të dëmshme përmes rrjeteve të argëtimit për fëmijët”.

Këtë muaj, guvernatori DeSantis u kërkoi ligjvënësve të Floridës që përmes një sesioni special të finalizonin marrjen e kontrollit të distriktit nga shteti, si dhe të miratonin ligje të tjera të rëndësishme për imigracionin dhe manipulimet në votime.

Përballja me korporatën Disney i forcoi edhe më tej pozitat e zotit DeSantis. Kritikët e akuzojnë atë se po përdor pushtetin për të përmbushur qëllimet e tij politike, një strategji që pritet të vazhdojë deri në prag të fillimit të fushatës së tij për Shtëpinë e Bardhë.

Muajt e ardhshëm do të jenë kritikë për zotin DeSantis ndërsa ai përpiqet të forcojë profilin e tij në rrafshin kombëtar. Anaslitët thonë se zoti DeSantis mund të shfrytëzojë sesionin legjislativ të javës së ardhshme për të forcuar axhendën e tij konservatore në prag të shpalljes së kandidaturës për president të Shteteve të Bashkuara.

Ligji i ri nuk cënon aftësitë financiare të qarkut dhe detyrimet e huamarrjes, duke adresuar një shqetësim kryesor për qeveritë lokale përreth. Sipas ligjit, në bordin e ri drejtues nuk mund të shërbejnë idividë që kanë punuar tre vitet e fundit për korporatën Disney.

Disney nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga agjencia e lajmeve Associated Press.

Krijimi i distriktit të vetëqeverisur ishte i rëndësishëm lidhur me vendimin e korporatës Disney për ndërtimin e parkut në Orlando në vitet 1960. Kompania i kishte thënë shtetit të Floridës se planifikonte të ndërtonte një qytet futurist që do të përfshinte një sistem transporti dhe risi të planifikimit urban, kështu që kompania kishte nevojë për autonomi në marrjen e vendimeve për ndërtimin dhe përdorimin e tokës. Qyteti futurist nuk u ndërtua kurrë por nga ana tjetër u zgjerua me një park të dytë argëtimi që u hap në vitin 1982./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat