Bibliotekat objekte ndihme në krizën e opioideve

Amerika

Bibliotekat objekte ndihme në krizën e opioideve

Më: 4 mars 2023 Në ora: 17:37
Foto ilustrim

Vdekjet nga mbidoza me drogën fentanil kanë bërë që komunitetet në të gjithë Shtetet e Bashkuara të përpiqen të reagojnë me shpejtësi për të shpëtuar jetë njerëzish. Siç njofton korrespondentja e Zërit të amerikës, Natasha Mozgovaya, në shtetin e Uashingtonit, një vend i pazakontë, por që është në shërbim të komunitetit, bibliotekat, po bëhen objekte ku mund të merret ndihma e parë në këtë valë të fundit të krizës së opioideve në SHBA.

“Kutinë mbajeni kështu, mos e ktheni përmbys se solucioni mund të derdhet. Ai nuk është i dëmshëm, por duhet ta nisni procedurën nga fillimi”.

Kështu e shpjegon Gabby Fuentes, menaxhere e një bibloteke, administrimin e një ilaçi urgjent, që mund të neutralizojë përkohësisht efektin e mbidozës së opioideve. Ndërsa Amerika gjithnjë e më shumë përballet me krizën e drogës fentanil, në bibliotekën e Tacomas në shtetin e Uashingtonit, në një makinë të ngjashme me atë që shërben kafe, mund të gjendet edhe antidoti ‘naloxone’.

Ne kemi punuar me një organizatë që ofron shërbime ndihme për përdoruesit e drogës për të na ndihmuar të mbështesim klientët tanë, që kanë probleme të përdorimit të substancave. Pra, ne e kuptojmë se komuniteti ka nevojë për këtë”, thotë zonja Fuentes.

Biblioteka është një qendër komuniteti. Është një vend ku njerëzit mblidhen dhe për këtë arësye është vend ideal për diçka të tillë, sepse kurrë nuk dihet se kush do të hyjë brenda dhe kush do të ketë nevojë për ndihmë”, thotë Jasmine Matthews, banore e Takomas.

Bibliotekari Tony Sonstig e kupton nevojën për trajnimin, por pyet veten se çfarë mund të ndodhë nëse vjen koha për të përdorur naloksonin, i cili njihet edhe me emrin tjetër, ‘Narcan’.

Do të doja të besoja se do jem në gjendje ta bëj, por ka mundësi të më duhet dikush tjetër për të më mbështetur, nëse do të kisha nevojë. Ne ishim pak të shqetësuar në fillim se cili do të ishte reagimi i njerëzve”, thotë zoti Sonstig.

“Ta vendosësh aparatin në një hapësirë publike, është sikur t’u thuash njerëzve se përdorimi i drogës është në rregull. Unë mbaj Narcan me vete sepse kam miq që e bëjnë këtë, por nuk mendoj se aparati duhet të vendoset në vende publike, sepse ka fëmijë afër”, thotë McKayala, banore tjetër e Takomas.

Zyrtarët e shëndetit publik të shtetit të Uashingtonit miratuan urdhrin që lejon këdo të marrë nalokson pa recetë mjeku. Epidemiologu i Universitetit të Uashingtonit, Caleb Banta Green thotë se lehtësimi i qasjes tek naloksoni do të parandalojë shumë vdekje.

“Ka dëshmi të cilat do t’i shohim vazhdimisht se nga të gjithë njerëzit që do të donit të kenë qasje te naloksoni, janë pikërisht ata që përdorin opioidë, ose miqtë, familjarët dhe të dashurit e tyre, pasi ata kanë gjasat më të mëdha të përballen me dikë që rrezikon jetën nga mbidoza”, tha Dr. Banta – Green.

Më shumë se 110,000 njerëz humbën jetën nga mbidoza me fentanil në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar. Zonja Fuentes thotë se kjo ndihmë është pjesë e shërbimit që bibloteka ofron për komunitetin e saj.

Shumë njerëz na kanë kontaktuar për të thënë se kohët e fundit kanë humbur anëtarë të familjes nga droga. Të paturit e një mjeti për të parandaluar vdekjen, është e rëndësishme për komunitetin tonë”, thotë zonja Fuentes.

Me dy panele ekspertësh që njëzëri këshilluan Administratën e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së të miratojë vënien në dispozicion të naloksonit pa recetë, makina shpërndarëse si kjo, mund të bëhen së shpejti një pamje e zakonshme në institucione të tjera publike./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat