Donald Trump pritet të deklarohet i pafajshëm para gjykatës

Amerika

Donald Trump pritet të deklarohet i pafajshëm para gjykatës

Më: 4 prill 2023 Në ora: 11:36
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, po konsultohet me avokatë në Kullën Trump në Nju Jork, teksa përgatitet të përballet me akuza penale. Avokatët e tij tashmë kanë thënë se ai do të deklarohet i pafajshëm.

Trump do të dalë të martën para një gjykate në Manhatan, për shkak të padisë penale, që ka pasuar hetimet për një pagesë që dyshohet t’ia ketë bërë yllit të pornografisë, Stormy Daniels.

Jashtë gjykatës janë vendosur masa shtesë të sigurisë, dhe autoritetet presin protesta.

Trump, 76-vjeçar, është ish-presidenti i parë amerikan që përballet me një çështje penale.

Dhjetëra policë dhe oficerë të gjykatës, si dhe agjentë të Shërbimit Sekret pritet ta shoqërojnë Trumpin nëpër rrugët e Nju Jorkut drejt gjykatës në Manhatan.

Ish-presidenti amerikan pritet që fillimisht të dorëzohet në zyrën e prokurorit të qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg. Më pas, ai del para gjykatës për të dëgjuar akuzat, dhe i jepet mundësia për t’u deklaruar, nëse e konsideron veten fajtor apo të pafajshëm.

Nëse i pandehuri deklarohet i pafajshëm, gjyqtari zakonisht e pranon deklarimin dhe e cakton seancën e radhës, apo edhe datën e mundshme të gjyqit.

Avokatët e disa të pandehurve, që deklarohen të pafajshëm, mund të nisin negociatat me prokurorët për rezultatin e gjyqit, në rast të pranimit të fajësisë, ashtu që t’i ikin procesit gjyqësor./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat