Historike! Donald Trump i pari president para një çështje penale, të martën do dalë sërish para gjykatës

Amerika

Historike! Donald Trump i pari president para një çështje penale, të martën do dalë sërish para gjykatës

Më: 4 prill 2023 Në ora: 22:44
Donald Trump

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është vetëdeklaruar i pafajshëm lidhur me 34 akuza për vepra penale për falsifikim të regjistrave biznesorë, në një gjykatë në Manhatan të Nju Jorkut sot, 4 prill.

Më pas, Trump u largua nga salla e gjyqit. Ai nuk bëri asnjë koment dhe injoroi pyetjet e gazetarëve. Tani ai pritet të kthehet në shtëpinë e tij në Florida, ku pritet të flasë më vonë pasi nuk i është kërkuar të qëndrojë i heshtur lidhur me rastin.

Prokurori i rastit, Alvin Bragg, tha se Trump i ka falsifikuar vazhdimisht regjistrat biznesorë për të fshehur krimet e kryera si pjesë e “komplotit për të minuar integritetin e zgjedhjeve të 2016-ës”.

Ndërsa gjykatësi Juan Merchan bëri të ditur se seanca e radhës gjyqësore do të mbahet më 4 dhjetor të këtij viti.

Para arrestimit Trump, i dërgoi një mesazh me anë të postës elektronike për të gjithë ndjekësit e tij, të titulluar “E-maili im i fundit para arrestimit”, ku ai u kërkoi përkrahësve të tij të ndihmojnë “në shpëtimin e Amerikës” duke bashkangjitur një link për mbledhje të fondeve.

Ai e quajti ditën e sotshme “një ditë tragjike për Republikën”, teksa shtoi se SHBA-ja po shndërrohet në një “vend marksist të botës së tretë”.

Trump, 76-vjeçar, është ish-presidenti i parë amerikan që përballet me një çështje penale.

Ish-presidenti republikan, i cili ka mohuar akuzat të cilat i ka quajtur “persekutim politik” dhe ka parashikuar se kjo do t’i dëmtojë demokratët në zgjedhjet e vitit 2024. Avokatët e Trump kanë thënë se ish-presidenti “nuk ka kryer asnjë krim” dhe se ata “do ta luftojnë fuqishëm këtë ndjekje politike në gjykatë”.

Cilat janë akuzat e mësuara deri më tani ndaj Trump?

Stormy Daniels, aktorja e filmave për të rritur, ka rrëfyer në 2016 se kishte një lidhje jashtëmartesore me ish-Presidentin e Amerikës Donald Trump. Në atë kohë, avokati i Trump, Michael Cohen i pagoi 130,000 dollarë Daniels që mos të fliste, gjë e cila kjo është e paligjshme.

Teksa Trump i kaloi pagesën Cohen në llogarinë bankare, transferta u bë me shënimin ‘tarifë ligjore’, por prokurorët thonë se kjo do të thotë që Trump falsifikon të dhënat, që është një kundravajtje penale në Nju Jork.

Vetë Trump ka mohuar çdo akuzë dhe e ka konsideruar procesin një ‘gjueti shtrigash’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat