Blinken: Arrestimi nga Rusia i gazetarit amerikan, i paligjshëm

Amerika

Blinken: Arrestimi nga Rusia i gazetarit amerikan, i paligjshëm

Më: 5 prill 2023 Në ora: 22:44
Evan Gershkovich

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha sot se nuk ka “dyshime” se arrestimi nga Rusia i gazetarit amerikan të gazetës “The Wall Street Journal” ishte i paligjshëm.

Evan Gershkovich u arrestua javën e kaluar nën akuza për spiunazh.

Megjithatë, zoti Blinken tha se ende nuk është bërë një përcaktim zyrtar i ndalimit të reporterit Evan Gershkovich, gjë që do ta ngjiste këtë çështje më lart në listën e përparësive të qeverisë së amerikane. Sekretari Blinken tha se procesi ligjor për përcaktimin do të përfundojë së shpejti.

“Në rastin e Evanit, ne po punojmë për përcaktimin lidhur me paraburgimin e padrejtë. Ka një proces për ta bërë këtë dhe kjo është diçka që ne po punojmë në mënyrë të kujdesshme, por dhe me shpejtësi”, tha ai.

“Në mendjen time, nuk kam dyshime nëse arrestimi i tij nga Rusia është i paligjshëm dhe kjo është pikërisht ajo që i thashë ministrit të Jashtëm Lavrov, kur fola me të gjatë fundjavës dhe këmbëngula që Evani të lirohej menjëherë”, tha zoti Blinken gazetarëve në selinë e NATO-s në Bruksel.

“Por, une dua të sigurohem, si gjithmonë, sepse ka një procedure formale që duhet ta ndjekim dhe pres që ajo të përfundojë së shpejti”, përfundoi sekretari.

Kjo ishte një telefonatë e rrallë e Sekretarit Blinken me homologun e tij rus Lavrov, që kur Rusia sulmoi Ukrainën në fillim të vitit të kaluar.

Kur qeveria amerikane përcakton zyrtarisht se një amerikan është arrestuar paligjshëm, çështja kalon tek një zyre e specializuar e Departametit të Shtetit – Zyra e të Dërguarit të Posaçëm të Presidentit për Çështjet e Pengjeve – e cila angazhohet në negociata për lirimin e pengjeve.

Përcaktimi i jep mundësi qeverisë të përdorë një sërë mjetesh, përfshirë diplomacinë, për të siguruar lirimin e një shtetasi amerikan të arrestuar në vend që të presë procedurat normale të një rasti gjyqësor.

"Nga këndvështrimi im, nga këndvështrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit, përparësi ka siguria e qytetarëve amerikanë në mbarë botën”, tha zoti Blinken të mërkurën.

Avokatët e gazetarit Gershkovich, djali i dy emigrantëve, i cili u rrit duke folur rusisht në shtëpinë e tij në Prinstën, Nju Xhersi, kanë apeluar arrestimin e tij. Gazeta “The Wall Street Journal” ka mohuar me vendosmëri akuzat dhe ka kërkuar lirimin e tij.

Zyrtarët amerikanë i kanë bërë thirrje Rusisë për lirimin e tij, ndërsa presidenti Joe Biden u tha gazetarëve të premten se mesazhi i tij për Rusinë ishte: "Lëreni të lirë gazetarin".

FSB, agjencia më e lartë e sigurisë në Rusi dhe pasardhëse e KGB-së, tha se zoti Gershkovich po përpiqej të merrte informacione të klasifikuara mbi një fabrikë ruse të armëve.

Ai është korrespondenti i parë amerikan që arrestohet nën akuzat për spiunazh, që nga periudha e Luftës së Ftohtë.

Avokatët e zotit Gershkovich e takuan atë në një burg në Moskë të martën, për herë të parë që nga arrestimi i tij.

Sipas gazetës “The Wall Street Journal”, ata thanë se ai “gëzonte shëndet të mirë”.

Më shumë se 30 organizata gazetarësh dhe aktivistë për mbrojten e lirisë së shtypit, i shkruan ambasadorit rus në Shtetet e Bashkuara, duke shprehur shqetësimin se Rusia po kriminalizon raportimin.

Tre ditë më parë kryediplomati amerikan Antony Blinken zhvilloi një bisedë të rrallë telefonike me homologun rus Sergey Lavrov, ku kërkoi lirimin menjëhershëm të gazetarit të gazetës “Wall Street Journal”, si dhe amerikanit Paul Whelan, të burgosur që nga viti 2018./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat