Infermierja amerikane adopton 15-vjeçaren me trinjakë që vinte vetëm te bebet në spital e s’kishte familje

Amerika

Infermierja amerikane adopton 15-vjeçaren me trinjakë që vinte vetëm te bebet në spital e s’kishte familje

Më: 8 prill 2023 Në ora: 16:41
Infermierja amerikane

Një infermiere materniteti në SHBA ka adoptuar një nënë 15-vjeçare trinjakësh pasi e shikonte që vinte përditë vetëm në spital për të vizituar bebet dhe nuk kishte mbështetje apo familjarë.

Katrina Mullen punonte në njësinë e kujdesit të të porsalindurve në spitalin e Indianapolis kur u njoh me Shariya Small.

Shariya, e cila ishte asokohe në vit të parë në gjimnaz, lindi trinjakët e parakohshëm Serenitee, Samari e Sarayah, të cilët duhet të kalonin rreth pesë muaj në spital prej peshës së vogël.

45 vjecarja Katrina, tha se nëna e re ishte shumicën e kohës vetëm pranë krevatit të bebeve dhe kjo e detyroi të ndërhynte.

Katrina thotë se nisi të ofronte ndihmë ndaj Shariya por e reja fillimisht nuk kishte besim.

Ajo thotë se e bindi atë duke i thënë se ishte edhe vetë nënë ndërsa rrëfeu se më parë kishte dhënë djalin e saj për adoptim.

Shariya nisi të mbante kontakte me Katrina pas daljes së trinjakëve nga spitali, teksa gruaja vazhdonte mbështetjen ndaj nënës së re pa mbështetje.

Katrina shkonte me makinë të vizitonte Shariya Kokomo, Indiana, ku ajo qëndronte me një të afërm.

Ajo tha në një intervistë për rrjetin vendas Today se shtëpia nuk ishte e përshtatshme për të rritur fëmijë dhe i kishte bere te ditur nenes se e mirëpriste ne shtëpinë e saj.

I porsalinduri Samari, kishte probleme tretjeje që prej lindjes, dhe më vonë u diagnostikua me probleme të rritjes.

Shërbimet sociale u informuan për situatën dhe kërkuan që fëmijët të mos jetonin në ato kushte. Por Katrina mori një telefonatë prej tyre, kur i thanë: “Shariya thotë se dëshiron të jetojë me ty, a pranon?”‘

Katrina thotë se nuk hezitoi dhe priti nënën e re në shtëpi me krahë hapur, edhe pse në shtëpinë e saj jetojnë tre fëmijët e vet, SeQuayvion, 16 vjeç, ShaKovon, 14, dhe JJ shtatë vjeç. Gruaja është gjithashtu nënë e 23 vjeçarit Sevonté, e Shai, 22 vjeç, të cilët janë larguar tashmë.

Katrina strehoi Shariya dhe bebet e saj për 668 ditë para se ta adoptonte zyrtarisht nënën adoleshente në shkurt.

Fillimisht ajo ngriti një faqe donacionesh për mbështetje ndaj Shariya, e cila dëshiron një karrierë në kujdesin social, si dhe për fëmijët e saj që tashmë janë dy vjeçarë.

Aty shkruhet se dëshiron që Shariya të shkojë në universitet dhe në aventurat e jetës së saj, “duke u rritur në një nënë e grua të mirë, e të devotshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat