Aborti betejë mes republikanëve e demokratëve, gjykatat në ShBA me vendime të ndryshme

Amerika

Aborti betejë mes republikanëve e demokratëve, gjykatat në ShBA me vendime të ndryshme

Më: 8 prill 2023 Në ora: 18:01
Foto ilustrim

Çështja e abortit vazhdon të mbetet një ndër betejat më të mëdha mes republikanëve dhe demokratëve në ShBA.

Sipas BBC-së në një lëvizje të fundit, një gjykatës federal i emëruar nga Trump në Teksas ka urdhëruar ndalimin e miratimit të një ilaçi të përdorur gjerësisht për abortin, i njohur si mifepriston. Por vetëm një orë më vonë, një gjykatës i zgjedhur nga Obama në shtetin e Uashingtonit ka nxjerrë një vendim konkurrues, duke urdhëruar që 17 shtete të vazhdojnë të kenë qasje në këtë ilaç.

Dihet se ky ilaç është i lejuar në vend prej më shumë se 20 vitesh dhe përdoret në shumicën e aborteve, por tani urdhra të ndryshme nga dy gjykata bëjnë të mundur që çështja të shkojë në Gjykatën e Lartë të ShBA-së.

Raportohet se gjykatësi Matthew Kacsmaryk në Amarillo, Teksas, ka ndaluar miratimin e mifepristonit nga FDA, ndërsa vendimi nuk do të hyjë në fuqi për shtatë ditë për t'i lënë qeverisë kohë për të apeluar. Në anën tjetër Departamenti Amerikan i Drejtësisë konfirmoi të premten mbrëma se do të kundërshtonte vendimin e Teksasit.

Vendimi i gjyqtarit Kacsmaryk mund të kufizojë aksesin në ilaç për miliona gra në ShBA, ndërkohë analistët ligjorë thonë se vendimi kërcënon të përmbysë të gjithë themelin e sistemit rregullator të ilaçeve në Amerikë.

Ky vendim vjen pasi Gjykata e Lartë hoqi mbrojtjen kushtetuese për abortin vitin e kaluar, duke shkaktuar një valë ndalimesh në disa shtete.

Mifepriston është ilaçi më i përdorur për abortet, janë grupet fetare të mbështetura nga konservatorët republikanë ata që po përpiqen t’a shpallin abortin të jashtëligjshëm në shkallë kombëtare, duke kufizuar edhe rastet kur grave shtatzënë mund t’u rrezikohet jeta.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aborti është i lejuar që nga viti 1973.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat