Biden flet me familjen e reporterit amerikan të arrestuar në Rusi

Amerika

Biden flet me familjen e reporterit amerikan të arrestuar në Rusi

Më: 11 prill 2023 Në ora: 21:13
Joe Biden

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka folur me prindërit e gazetarit të Wall Street Journal, Evan Gershkovich, pasi ai u arrestuar për spiunazh në Rusi.

Gershkovich u arrestua javën e kaluar me akuza për spiunazh, të cilat janë quajtur false nga Perëndimi, shkruan Skynews.

Ai po mbahet në një qendër paraburgimi në burgun famëkeq Lefortovo në Moskë dhe përballet me 20 vjet pas hekurave nëse shpallet fajtor.

31-vjeçari është gazetari i parë i një gazete amerikane që arrestohet me akuza për spiunazh në Rusi që nga Lufta e Ftohtë.

“Ne e vlerësojmë thirrjen e Presidentit Biden për ne sot, duke na siguruar se qeveria amerikane po bën gjithçka që është në fuqinë e saj për ta sjellë atë në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi familja e tij pas telefonatës me Biden.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve pas telefonatës se Biden ndiente se ishte vërtet e rëndësishme të lidhej me familjen e të arrestuarit.

Qeveria amerikane dhe Wall Street Journal kanë mohuar me forcë akuzën ruse se Gershkovich është spiun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat