Prodhimi i mikroqarqeve në SHBA mund të rrezikojë sigurinë e Tajvanit

Amerika

Prodhimi i mikroqarqeve në SHBA mund të rrezikojë sigurinë e Tajvanit

Më: 11 prill 2023 Në ora: 21:23
Kompania “Taiwan Semiconductor” po ndërton në Arizona fabrikën e saj të dytë në Shtetet e Bashkuara

Departamenti amerikan i Tregtisë fillon këtë muaj fazën e parë të programit për rikthimin në Shtetet e Bashkuara të prodhimit të gjysmëpërçuesve. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Jessica Stone, zyrtarët në Tajvan thonë se kjo mund të dëmtojë sigurinë e tyre kombëtare.

Kompania “Taiwan Semiconductor” po ndërton në Arizona fabrikën e saj të dytë në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, Uashingtoni po kërkon paraqitjen e aplikimeve të reja për dy objekte të tjera për punën kërkimore dhe prodhimin e gjysmëpërçuesve.

Ligji i ri CHIPS për gjysmëpërçuesit parashikon 39 miliardë dollarë për të nxitur këtë sektor.

“Në thelb kjo është që të sigurohemi se do të kemi në territorin tonë mikroqarqet që na nevojiten dhe se do të nxisim novacionin në Amerikë, në mënyrë që të kemi autoritetin moral dhe teknologjik për të udhëhequr botën dhe për të ruajtur sigurinë tonë kombëtare”, tha Sekretarja e Tregtisë, Gina Raimondo.

Por, zyrtarët tajvanezë shqetësohen se kjo mund të dëmtojë sigurinë e tyre kombëtare.

Presidentja Tsa Ing-Wen i quan fabrikat e gjysmëpërçuesve në Tajvan “kubeja e silikontë”, që mbron këtë ishull nga një sulm i mundshëm kinez.

Themeluesi i kompanisë “Taiwan Semiconductor” shpjegon domethënien e kësaj:

“Ka të bëjë ndoshta me faktin se kompania jonë i ofron shumë mikroqarqe botës dhe kjo do t’i frenojë ata që duan të na sulmojnë. Nëse kanë prioritet mirëqenien ekonomike, mendoj se nuk do të sulmojnë”, tha Morris Chang për emisionin “60 minutes”.

Në mbarë botën, vendet po përpiqen të zgjerojnë zinxhirin e furnizimit me gjysmëpërçues. Në janar, kompania “Taiwan Semiconductor” njoftoi se po shqyrton çeljen e fabrikave të reja në Japoni dhe në Evropë. Po atë muaj, qeveria tajvaneze miratoi variantin e saj të ligjit për mikroqarqet, me qëllimin që të ruajë kubenë e saj mbrojtëse të silikonit.

“Ky ligj i ri tajvanez është përgjigja e Tajvanit në përpjekje për të balancuar prodhimin e mikroqarqeve jashtë Tajvanit, për t’u siguruar se do të dalin krejtësisht jashtë Tajvanit dhe që do të ruajnë avantazhin e tyre teknologjik”, thotë Andrea Viski, nga Qendra “Stimson” në Uashington.

Ajo thotë se ka tregues që edhe Uashingtoni dëshiron ta ruajë këtë “kube të silikontë”. Në shkurt, Uashingtoni organizoi një forum për t’u koordinuar me Japoninë dhe Korenë e Jugut, për të ndalur përpjekjet e Kinës për të ngritur kapacitetet për prodhimin e saj të mikroqarqeve të avancuara.

“Objektivi final është që Kina të mbahet e ndërvarur nga teknologjia e huaj, pasi nëse arrin ta prodhojë këtë teknologji vetë, atëherë ndër pasojat e tjera do të jetë edhe fundi i kubesë së silikontë të Tajvanit”, thotë zonja Viski.

Ndoshta ndër shenjat më të dukshme të mbështetjes së Uashingtonit është rritja e ndihmës ushtarake për Tajvanin.

“Vetëm vitin e kaluar njoftuam 13 shitje te tjera armatimesh për Tajvanin, që është shifra më e lartë në 20 vitet e fundit”, tha Daniel Kritenbrink, Ndihmës Sekretar Shteti për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit.

Në fillim të marsit, administrata e Presidentit Biden miratoi shitjen e municioneve të reja për Tajvanin me vlerë 619 milionë dollarë. Ligji i vitit 2022 për Politikën me Tajvanin ofron gjithashtu 10 miliardë dollarë kredi për Tajvanin për blerjen e armatimeve të reja./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat