Tenesi, rikthehet në detyrë ligjvënësi i dytë afrikano-amerikan që ishte përjashtuar

Amerika

Tenesi, rikthehet në detyrë ligjvënësi i dytë afrikano-amerikan që ishte përjashtuar

Më: 13 prill 2023 Në ora: 21:54
Ligjvënësi Pearson, në qendër, përpara godinës së legjislativit në Tenesi (13 prill 2023)

I dyti nga ligjëvënësit demokratë afrikano-amerikanë që ishin përjashtuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e shtetit Tenesi me shumicë republikane, pasoi kolegu e tij duke u rikthyer në punë të enjten, një javë pas përjashtimit për shkak të pjesëmarrjes në një protestë për kontrollin e armëve që i vendosi ata në epiqendër të vëmendjes kombëtare.

Ligjvënësi Justin Pearson, nga Memfisi, bëri betimin të enjten përpara Dhomës së Përfaqësuesve të shtetit Tenesi. Një ditë më parë, komisionerët në qarkun Shelby votuan unanimisht për t’ia rikthyer atij mandatin e ligjvënësit.

“Po vërtet, gëzuar ditën e ringjalljes”, tha zoti Pearson të enjten në mëngjes ndërsa nënshkruante dokumentacionin për rikthimin e tij.

“Do të kenë një version të ri të kësaj godine, me themelin të ngritur mbi dashurinë”, tha zoti Pearson gjatë një fjalimi të zjarrtë përpara Dhomës së Përfaqësuesve. “Shtylla të reja të drejtësisë po ngrihen... Me dyer që janë të hapura për këdo në shtetin Tenesi. Jo vetëm për disa të pasur, por për të gjithë”, tha ai.

Pasi mbajti fjalimin e tij para mbështetësve dhe gazetarëve jashtë Kapitolit, zoti Pearson hyri në sallën e parlamentit ndërsa po zhvillohej debati mbi projektligjet.

Image
Ligjvënësi demokrat Justin Pearson në sallën Dhomës së Përfaqësuesve të shtetit Tenesi (13 prill 2023)

Pas kthimit të zotit Pearson në parlament, ligjvënësit debatuan legjislacionin që merret me mësimdhënien e "koncepteve përçarëse" në lidhje me racën, gjininë dhe seksin në kampuset universitare. Pas një debati të shkurtër me tone të zjarrta ku u përfshinë edhe dy ligjvënësit Pearson dhe Jones, republikanët përdorën rregullat procedurale për të ndaluar menjëherë diskutimin dhe t’i detyruar ligjvënësit që të votojnë për projektligjin. Lëvizja i zemëroi demokratët, të cilët vunë në dukje menjëherë se ndërprerja e debatit dhe heshtja e kundërshtarëve ishte ajo që i shtyu tre ligjvënësit të thyenin rregullat e Dhomës së Përfaqësuesve, pasi nuk ishin lejuar të merrnin pjesë në debatet e mëparshme.

Ligjvënësit republikanë patën përjashtuar javën e kaluar ligjvënësit Pearson dhe Jones për rolin e tyre në protestën në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve ndaj një sulmi me armë, që shkaktoi gjashtë viktima, tre fëmijë dhe tre të rritur./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat