ProPublica: Anëtari i Gjykatës së Lartë, Clarence Thomas nuk raportoi për shitjen e pronave që u blenë nga donatori konservator

Amerika

ProPublica: Anëtari i Gjykatës së Lartë, Clarence Thomas nuk raportoi për shitjen e pronave që u blenë nga donatori konservator

Më: 14 prill 2023 Në ora: 18:37
Clarence Thomas

Donatori konservator amerikan Harlan Crow bleu tre prona që i përkisnin anëtarit të Gjykatës së Lartë, Clarence Thomas dhe familjes së tij, në një transaksion me vlerë mbi 100,000 dollarë, të cilin zoti Thomas nuk e raportoi asnjëherë, sipas organizatës jofitimprurëse të gazetarisë investigative ProPublica.

Blerja e vitit 2014 e pasurive të patundshme hedh një dritë të re mbi marrëdhënien prej dekadash mes gjykatësit Thomas dhe zotit Crow, një manjat i pasurive të paluajtshme, i cili ka kontribuar vazhdimisht për kauza konservatore. Kjo marrëdhënie dhe përfitimet materiale prej saj nga zoti Thomas, kanë nxitur thirrjet për një hetim zyrtar të rregullave të etikës.

ProPublica ka njoftuar më parë se për dekada me radhë zoti Crow u kishte ofruar gjykatësit Thomas dhe gruas së tij Ginni pushime dhe udhëtime vjetore me vlerë prej qindra mijëra dollarësh, përfshirë udhëtime ndërkombëtare në jahtin e tij, fluturime me avion privat dhe qëndrime në resortin privat të zotit Crow në Adirondacks të shtetit të Nju Jorkut.

Por blerja e pasurive të patundshme e vitit 2014 është prova e parë publike e një transaksioni të drejtpërdrejtë financiar mes anëtarit të Gjykatës së Lartë dhe biznesmenit.

Duke cituar dokumentet e taksave shtetërore dhe ato të pronësisë, ProPublica njofton se një nga kompanitë e zotit Crow pagoi 133,363 dollarë për një shtëpi në Savana të shtetit Xhorxhia, ku jetonte nëna e gjykatësit Thomas, së bashku me dy sipërfaqe të lira aty pranë që u përkisnin anëtarëve të familjes së zotit Thomas. Nëna e zotit Thomas vazhdoi të banonte në shtëpi, e cila menjëherë filloi të rinovohej me një kosto prej dhjetëra-mijëra dollarësh.

Zyrtarëve federalë, përfshirë anëtarët e Gjykatës së Lartë, u kërkohet të raportojnë detajet e transaksioneve për pasuritë e patundshme me vlerë mbi 1,000 dollarë. Përjashtim nga raportimi bën vetëm banesa private, çka nuk është rasti për këtë transaksion të zotit Thomas.

Si gjykatësi Thomas ashtu edhe zoti Crow përmes deklaratave, e kanë minimizuar rëndësinë e përfitimeve financiare. Zoti Thomas ka thënë se atij nuk i ishte kërkuar të raportonte për udhëtimet. Zoti Crow iu përgjigj njoftimit të fundit përmes një deklarate për organizatën ProPublica ku shprehet se e kishte bërë blerjen me synimin për të nderuar trashëgiminë e zotit Thomas.

“Synimi im është që një ditë të hap një muze publik në shtëpinë e zotit Thomas, kushtuar historisë së gjyqtarit të dytë afrikano-amerikan të Gjykatës së Lartë të vendit tonë”, thuhet në deklaratë. “Historia e gjykatësit Thomas përfaqëson më të mirën që ofron Amerika”.

Zyra e zotit Thomas nuk iu përgjigj një kërkese të agjencisë Associated Press për koment./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat