Xhamia më e vjetër e Miçiganit mban të përfshirë anëtarët më të rinj

Amerika

Xhamia më e vjetër e Miçiganit mban të përfshirë anëtarët më të rinj

Më: 17 prill 2023 Në ora: 18:41
Xhamia më e vjetër e Miçiganit

Xhamia më e vjetër në Miçigan po feston 85 vjetorin e themelimit. E vendosur në qytetin e Diërbornit, Xhamia e Shoqërisë Muslimane Amerikane, një nga më të vjetrat në Shtetet e Bashkuara, i ofron brezit të saj të ri aktivitete fetare dhe krijuese. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Rivan Dwiastono njofton.

Thirrja për lutje është një tingull i zakonshëm në vendet me shumicë myslimane. Nuk është aq e zakonshme në Shtetet e Bashkuara.

Që nga vitet 1980, Xhamia e Shoqërisë Myslimane Amerikane në Diërborn të Miçiganit, ka bërë publikisht thirrjen për lutje përmes altoparlantëve, xhamia e parë në SHBA që lejohet të bëjë një gjë të tillë.

Por fillimet e xhamisë shkojnë edhe më prapa.

"Shumë nga muslimanët që jetonin në zonën Highland Park punonin për kompaninë Ford Motor, kështu që u zhvendosën në Diërborn dhe u duhej një vend për t’u falur. Ata ndërtuan katin të kësaj xhamie në vitin 1938", thotë Musaed Alshamahi me Shoqërinë Muslimane Amerikane

Xhamia filloi si një strukturë e thjeshtë. Pas katër rinovimeve, ajo është kthyer në një ndërtesë me shumë nivele që mund të strehojë mbi dy mijë besimtarë, me dhoma të veçanta për aktivitete të ndryshme komunitare. Shumica e besimtarëve janë me origjinë arabe, duke reflektuar demografinë e zonës së Diërbornit. Por të tjerët janë emigrantë nga Afrika dhe Azia.

"Mund të takosh breza të ndryshëm. Njerëz që sapo kanë ardhur, emigrantë që sapo kanë ardhur. Dhe gjithashtu njerëz, që kanë jetuar këtu gjatë gjithë jetës së tyre", thotë Yahya Alfaqih, President i Shoqatës Myslimane Amerikane.

Për myslimanët e zonës Diërborn, shumica e të cilëve kanë një prejardhje emigrantësh, xhamia është bërë më shumë se një vend i shenjtë.

“Komuniteti përreth xhamisë, e ka xhaminë në qendër të jetës së tij dhe pjesëtarët e lidhin jetën e tyre me xhaminë çdo ditë, qoftë për veten e tyre, qoftë për familjet dhe fëmijët e tyre. Dhe kur kanë nevojë për ndihmë, ata vijnë në xhami", thotë Yahya Alfaqih, President i Shoqatës Myslimane Amerikane.

Aktivitetet e komunitetit zhvillohen gjatë gjithë vitit, por Ramazani, muaji i shenjtë i agjërimit dhe i mbushur me studime fetare, është një kohë e ngarkuar, veçanërisht për të rinjtë myslimanë.

"Kemi shumë fëmijë që e mësojnë përmendësh Kuranin. E bëjnë këtë gjatë muajit të Ramazanit. Ata bëjnë një konkurs për Kuranin", thotë Musaed Alshamahi.

Xhamia Diërborn tani planifikon të shtojë një palestër, që mund të shërbejë gjithashtu për ngjarje të ndryshme të komunitetit.

"Kjo është një përpjekje për të plotësuar nevojat e brezit tonë të ri, sepse duam që t’u themi atyre, ne nuk duam që të vini vetpm për t’u falur, por edhe për të luajtur", thotë Yahya Alfaqih.

Ndërsa është kryesisht një qendër për besimin dhe aktivitetet e komunitetit myslimanë, xhamia Diërborn është e hapur për këdo që dëshiron të shkojë dhe të mësojë rreth Islamit. Xhamia vazhdon të zhvillohet, së bashku me Diërbornin, qyteti i shtatë më i populluar në Miçigan, i cili në nëntor të vitit 2021 zgjodhi kryetarin e saj të parë mysliman, Abdullah Hammoud./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat