Aktivistë mjedisor shfryjnë gomat e 43 SUV-ve në një lagje të pasur në Boston

Amerika

Aktivistë mjedisor shfryjnë gomat e 43 SUV-ve në një lagje të pasur në Boston

Më: 22 prill 2023 Në ora: 19:40
Foto nga vendi i ngjarjes

Një grup i aktivistëve klimatik me emrin “The Tyre Extiguishers” ka marrë përgjegjësinë mbi një aksion në Boston, Massachusetts, në të cilin aksion ishin shfryrë gomat e 43 SUV-ve gjatë mbrëmjes të 19 prillit.

Grupi pretendoi se veturat në Beacon Hill, njëra nga lagjet më të pasura të Boston, ishin “çarmatosur”. Tutje ata pretenduan se ky aksion ishte ndërmarrë për të “bërë të papërdorshme veturat e mëdha që lëshojnë gaz serrë” dhe la fletushka në veturat të cilat ata i kishin cak.

Sipas ueb-sajtit të tyre, grupi “Tyre Extinguihsers” përbëhet nga aktivistë klimatik të cilët besojnë se “SUV-të janë një mizori mjedisore e rrezikshme dhe e panevojshme, veçanërisht në mjediset e qytetit ku ka mundësi të qëndrueshme transporti në dispozicion për të gjithë”. Në fund të fundit, ata duan që automjetet e mëdha SUV të ndalohen dhe paratë të investohen në transportin publik, raporton carscoops.

Në mënyrë intriguese, në këtë rast, grupi pretendon se ka shënjestruar vetëm veturat me motor me djegie të brendshme, dhe jo veturat elektrike, diçka që nuk e ka bërë gjithmonë. Në të kaluarën, grupi ka shfryrë gomat edhe të disa fuoristradave të mëdha elektrike, me arsyetimin se veturat janë ende të kota dhe të rrezikshme.

Përveç kësaj, ajo pretendoi se nuk kishte në shënjestër veturat me sinjalistikë për personat me aftësi të kufizuara. Megjithatë, sipas Boston 25 News, një viktimë pretendoi se kishte humbur një takim mjekësor si rezultat i gomës së shfryrë.

Policia e Boston-it lëshoi një raport ku thuhej se ata ishin në dijeni se 19 vetura ishin vandalizuar gjatë natës, dhe ata ishin duke hetuar rastin. Nga policia nuk është ofruar ndonjë përshkrim për të dyshuarit.

“The Tyre Extinguishers” është një grup ndërkombëtar me qeliza që pretendohet se operojnë në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Grupi pretendon se nuk ka autoritet qendror dhe lejon këdo të bashkohet, duke u ofruar njerëzve udhëzime se si të shfryjnë gomat lehtësisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat