Gjykata e Lartë merr në shqyrtim çështjen e bllokimit të kritikave për zyrtarët publikë

Amerika

Gjykata e Lartë merr në shqyrtim çështjen e bllokimit të kritikave për zyrtarët publikë

Më: 24 prill 2023 Në ora: 21:14
Gjykata e Lartë

Gjykata e Lartë tha të hënën se do të vendosë nëse zyrtarët publikë lejohen të bllokojnë komentet e kritikëve në llogaritë e tyre në rrjete sociale, një çështje e ngritur më parë në një rast në lidhje me ish-presidentin Donald Trump.

Dy vite më parë, Gjykata e Lartë hodhi poshtë rastin mbi përpjekjet e zotit Trump për të bllokuar kritikët nga llogaria e tij personale në rrjetin Twitter.

Një gjykatë e shkallës më të ulët kishte vlerësuar se ish-presidenti Trump kishte shkelur Amendamentin e Parë të Kushtetutës duke bllokuar pikëpamjet e zërave kritikë.

Por Gjykata e Lartë kishte vendosur të rrëzojë këtë çështje pasi sipas saj nuk ishte më e nevojshme të shqyrtohej pas pezullimit të zotit Trump nga Twitteri dhe fundit të mandatit të tij presidencial.

Llogaria e ish-presidentit republikan është zhbllokuar.

Gjykata ka pranuar tani të trajtojë dy çështje ku përfshihen figura të një profile shumë më të ulët. E para përfshin dy anëtarë të zgjedhur të një bordi arsimi në Kaliforni.

Anëtarët, Michelle O’Connor-Ratcliff dhe T.J. Zane, përdorin llogaritë e tyre në Facebook dhe Twitter për të komunikuar me publikun.

Dy prindër, Christopher dhe Kimberly Garnier, u bllokuan nga llogaritë e anëtarëve të bordit pasi bënë kritika në postimet e tyre. Një gjykatë apeli vlerësoi se anëtarët e bordit shkelën të drejtat e fjalës së lirë me këtë veprim.

Rasti tjetër ka të bëjë me James Freed-in, i cili nga viti 2014 udhëheq administratën e qytetit Port Huron në Miçigan.

Zoti Freed, i cili u emërua në këtë pozitë nga kryebashkiaku dhe Këshilli Bashkiak, përdor një faqe në Facebook për të komunikuar me publikun.

Në vitin 2020, një banor, Kevin Lindke, komentoi në këtë llogari disa herë nga tre profile në Facebook, duke kritikuar mes të tjerash reagimin e bashkisë ndaj pandemisë COVID-19. Zoti Freed bllokoi të tre llogaritë dhe fshiu komentet e zotit Lindke.

Zoti Lindke ngriti padi, por gjykatat më të ulëta mbajtën anën e zotit Freed. Katie Fallow, eksperte në Institutin Knight për Amendmentin e Parë në Universitetin e Kolumbias, që ishte i përfshirë në çështjen Trump, tha se gjithnjë e më shumë zyrtarët publikë po përdorin mediat sociale për të komunikuar rreth biznesit zyrtar.

"Zyrtarët e qeverisë nuk mund t'i bllokojnë njerëzit nga këto forume thjesht sepse nuk u pëlqen ajo që thonë," tha zonja Fallow.

Gjykata e Lartë nuk do të dëgjojë çështjet e reja para vjeshtës. Gjyqtarët këtë javë po dëgjojnë argumentet e tyre të fundit të planifikuar dhe do të marrin vendime në maj dhe qershor përpara se të shkojnë në pushimin veror. Gjykata do të rifillojë shqyrtimin e argumenteve në tetor./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat