Tucker Carlson flet për herë të parë që kur u shkarkua nga Fox News

Amerika

Tucker Carlson flet për herë të parë që kur u shkarkua nga Fox News

Më: 27 prill 2023 Në ora: 21:03
Tucker Carlson

Dy ditë pas shkarkimit nga kanali Fox News, Tucker Carlson u shfaq me një monolog të stilit elektoral ku nuk trajton arsyet përse u gjend papritmas i papunë.

Ai e publikoi videon në Twitter mbrëmjen e së mërkurës, në kohën kur zakonisht fillonte emisioni i tij në kanalin Fox, ku flitet për mungesën e debatit të sinqertë politik në media.

Zoti Carlson tha se një nga gjërat që vërejti “pasi distancohesh për pak ditë nga zhurma”, është se sa të mirë janë disa njerëz dhe se sa qesharakë bëhen disa të tjerë.

“Gjëja tjetër që vëren kur bën pak kohë pushim është se sa pabesueshmërisht absurde janë disa nga debatet që shikon në televizion”, tha ai. “Janë krejtësisht pa lidhje. Nuk kanë asnjë kuptim. Për pesë vjet as nuk do të na kujtohen që i kemi dëgjuar. Besomëni, si një person që kam marrë vetë pjesë”.

Kanali Fox e shkarkoi gazetarin e tij më popullor të hënën pa dhënë një shpjegim, më pak se një javë pasi ra dakort për zgjidhjen me marrëveshje të një padie gjyqësore në lidhje me përhapjen e të pavërtetave për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Vazhdon kështu misteri se përse drejtuesit e kompanisë Fox Corp., Rupert Murdoch dhe djali i tij Lachlan, vendosën papritur ta largojnë zotin Carlson. Kompania nuk e ka shpjeguar këtë, megjithëse disa njoftime të mediave të mërkurën u përqëndruan tek materialet e zbuluara gjatë padisë së kompanisë së sistemeve të votimit Dominion, por që ishin të retushuara nga gjykata.

Mesazhet private të dërguara nga zoti Carlson me “komente shumë ofenduese dhe të parafinuara” shërbyen si “katalizatori” për vendimin e kanalit Fox për ta larguar atë, thuhet në gazetën The New York Times.

Gazetat The Wall Street Journal dhe The Washington Post thanë se një mesazh i retushuar përmbante një sharje për një drejtues të lartë të Fox-it. Artikujt bazohen në burime që nuk identifikohen.

Një pjesë e evidencës për çështjen Dominion që u bë publike tregoi disa prej komenteve ofenduese nga zoti Carlson, përfshirë përdorimin e një termi vulgar për zonjën Sidney Powell, një mbështetëse e ish-Presidentit Trump e cila nxiste teori false konspiracioni elektoral në kanalin Fox dhe gjetiu.

Një përfaqësues i kanalit Fox News nuk komentoi për rishfaqjen e zotit Carlson, por iu referua një deklarate të bërë të hënën nga kompania ku thuhej se “e falenderojmë për shërbimin e tij”.

Zoti Carlson ishte veshur me kostum dhe kravatë për të dhënë mesazhin e tij në Twitter. Megjithëse nuk e përmendi Fox-in, ishte një shëmbëlltyrë e monologjeve që ai mbante në atë rrjet televiziv gjatë gjashtë viteve të fundit, ku fliste për “njerëzit në krye” që po dëmtonin vendin. Debatet për temat e mëdha, si lufta, liritë civile, të rejat në shkenca, ndryshimet demografike dhe pushteti i korporatave nuk lejohen nga kompanitë mediatike apo partitë politike, tha ai.

“Ku mund të gjesh ende amerikanë që thonë gjëra të vërteta?”, pyet ai. “Nuk kanë mbetur shumë vende, por disa janë dhe kjo mjafton. Për sa kohë që i dëgjoni fjalët, ka shpresë. Shihemi së shpejti”, e përfundon ai mesazhin e tij./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat