Qeveria federale: Spitalet që mohojnë abortin emergjent, thyejnë ligjin

Amerika

Qeveria federale: Spitalet që mohojnë abortin emergjent, thyejnë ligjin

Më: 1 maj 2023 Në ora: 21:13

Një hetim federal, i parë i këtij lloji, ka zbuluar se dy spitale vunë në rrezik jetën e një gruaje shtatzënë dhe kanë shkelur ligjin federal duke refuzuar të ofrojnë një abort urgjent, kur ajo përjetoi lindje të parakohshme në javën e 17-të.

Gjetjet janë zbuluar në dokumentet e siguruara nga agjencia Associated Press. Rezultatet e këtij hetimi shërbejnë si një paralajmërim për spitalet anembanë vendit, ndërsa ato përpiqen të bashkërendojnë ligjet e reja shtetërore, që ndalojnë, ose kufizojnë ndjeshëm abortin, me një ligj federal, që u kërkon mjekëve të ofrojnë aborte kur shëndeti i një gruaje është në rrezik.

Spitalet në fjalë janë në shtetet Mizuri dhe Kansas. Spitalet nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment. Gruas në fjalë, iu desh të udhëtonte në një klinikë aborti në një shtetet tjetër, atë të Illinoit.

Ligjet e reja nga shtete të veçanta, janë nxjerrë që kur Gjykata e Lartë rrëzoi të drejtën kushtetuese për abort vitin e kaluar.

Por ligji federal, i cili kërkon që mjekët të trajtojnë pacientët në situata urgjente, e tejkalon fuqinë e ligjeve shtetërore, tha zyrtari më i lartë shëndetësor në një deklaratë.

“Fatmirësisht, kjo paciente mbijetoi. Por ajo kurrë nuk duhet të kishte kaluar nëpër sprovën e tmerrshme që përjetoi", tha Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore Xavier Becerra. "Ne duam që ajo dhe çdo paciente si ajo, të dinë se ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre dhe do të hetojmë dhe zbatojmë ligjin në masën më të plotë të autoritetit tonë ligjor, në përputhje me urdhrat e gjykatave”.

Administrata Biden i ka nxitur spitalet që të mos i dëbojnë pacientët edhe kur ligji i shtetit i ndalon abortet. Disa javë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, administrata Biden u kujtoi spitaleve se ligji federal u kërkon atyre të ofrojnë një abort kur një grua shtatzënë është në rrezik për një gjendje mjekësore urgjente. Qeveria federale mund të hetojë për shkelje të mundshme ligjore, spitalet që marrin fonde nga programet federale për ‘Medicare’ dhe ‘Medicaid’, (i pari për mbulim shëndetësor të personave mbi 65 vjeç; dhe i dyti për personat me të ardhura të ulta) Shumicën e spitaleve në SHBA marrin fonde nga këto programe.

Në mbarë vendin, mjekët kanë raportuar pasiguri rreth mënyrës se si të ofrojnë kujdes për gratë shtatzëna, veçanërisht në gati 20 shtetet ku ligjet e reja i kanë ndaluar, ose kufizuar abortet. Mjekët përballen me dënime penale dhe civile në disa shtete nëse ndihmojnë për ndërprerjen e shtatzënisë.

Por në një letër dërguar të hënën shoqatave spitalore dhe mjekëve, sekretari i Shëndetësisë Xavier Becerra Becerra tha se shpreson që hetimet të qartësojnë se spitalet duhet të ndjekin ligjin federal./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat