Zbulimi, miliarderi republikan paguan dy vite shkollim për stërnipin, që është rritur nga gjykatësi Thomas

Amerika

Zbulimi, miliarderi republikan paguan dy vite shkollim për stërnipin, që është rritur nga gjykatësi Thomas

Më: 5 maj 2023 Në ora: 18:46
Clarence Thomas

Një megadonator republikan pagoi dy vite shkollim, në dy shkolla të ndryshme private, për stërnipin e anëtarit të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara Clarence Thomas. Fëmija është rritur prej gjykatësit Thomas dhe bashkëshortes së tij, që kur ishte 6 vjeç.

Gjykatësi Thomas nuk i ka deklaruar këto pagesa, gjë që u pranua të enjten nga një avokat që përfaqëson anëtarin e Gjykatës së Lartë dhe bashkëshorten e tij.

Nxjerrja në pah e këtyre pagesave për shkollim, të bëra nga miliarderi nga Dallasi, Harlan Crow, është shembulli më i fundit i mbështetjes financiare që zoti Crow ka siguruar për zotin Thomas dhe familjen e tij. Ngjarja ka ngritur pikëpyetje në lidhje me etikën e gjykatësit Thomas dhe rregullat e deklarimit të dhuratave në përgjithësi. Pagesat, së bashku me disa shembuj të mëparshëm të lidhjeve financiare të zotit Crow me zotin Thomas, u raportuan fillimisht nga faqja jofitimprurëse e gazetarisë investigative ‘ProPublica’.

Të enjten ‘ProPublica’ njoftoi se Harlan Crow kishte paguar për shkollimin e stërnipit të zotit Thomas, Mark Martin, i cili është rritur nga zoti Thomas dhe bashkëshortja e tij, Virginia, që në moshën 6-vjeçare.

Gjatë muajit të kaluar ‘ProPublica’ publikoi disa artikuj të tjerë ku flitej për pushime luksoze të familjes Thomas, të paguara nga zoti Crow dhe spër blerjen nga donatori konservator të tre pronave që i përkisnin anëtarit të Gjykatës së Lartë dhe familjes së tij, në një transaksion me vlerë mbi 100,000 dollarë. Të gjitha këto nuk ishin deklaruar.

Demokratët i kanë përdorur gjetjet për të kërkuar rregulla më të forta etike për Gjykatën e Lartë. Lidhur me këtë çështje Senati i kontrolluar nga demokratët zhvilloi një seancë dëgjimore këtë javë. Republikanët nga ana tjetër i kanë dalë në mbrojtje zotit Thomas.

Në artikullin e ‘ProPublica-s’, thuhej se zoti Crow kishte paguar për shkollimin e Mark Martin-it në Akademinë ushtarake ‘Randolph-Macon’ në Virxhinia, si dhe në Akademinë ‘Hidden Lake’ në Xhorxhia.

“ProPublica” bëri të ditur se zoti Thomas nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të saj. Zyra e zotit Crow u përgjigj me një deklaratë, por pa i dhënë përgjigje pyetjes se sa kishte paguar në total për shkollimin. Në deklaratë zoti Crow thotë se zoti Thomas nuk i kishte kërkuar të bënte ndonjë pagesë pëpr shkollimin e stërnipit, raporton ‘ProPublica’.

Një zëdhënëse e Gjykatës së Lartë nuk i është përgjigjur ende një emaili të agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’, që kërkonte përgjigje mbi pyetjen nëse zoti Thomas do të fliste mbi rastin.

Megjithatë në një postim në Twitter, Mark Paoletta, avokati i gjykatësit Thomas dhe një mik i vjetër i tij, e quajti artikullin e ProPublica-s "një tjetër përpjekje për të prodhuar një skandal kundër gjykatësit Thomas".

Zonja Paoletta tha se ishte zoti Crow që kishte rekomanduar që zoti Thomas të shqyrtonte si mundësi për shkollimin e stërnipit të tij, Akademinë Randolph-Macon, të cilën e kishte ndjekur edhe vetë zoti Crow. Ky i fundit ishte ofruar të paguante për vitin e parë të Mark Martin-it, në vitin 2006, një pagesë që i ishte bërë shkollës direkt. Kur shkolla rekomandoi që Mark Martin-i t’i vazhdonte studimet për një vit në Akademinë ‘Hidden Lake’, zoti Crow u vetofrua sërish të paguante për atë vit, një pagesë që iu bë direkt gjithashtu shkollës, tha avokati Paoletta.

Në Kongres ligjvënësit u ndanë sërish sipas linjave partiake lidhur me rastin.

Senatori republikan Josh Hawley, i cili dikur ka punuar në zyrën e kryetarit të Gjykatës së Lartë John Roberts, tha se kjo ishte lëvizja më e fundit e një fushate shumë dekadeshe, organizuar nga e majta, që kishte si qëllim të godiste gjykatësin Thomas.

Senatori demokrat Ron Wyden u shpreh nëpërmjet një deklarate se falë "çdo zbulimi të ri që lidhet me këtë rast, bëhet më e qartë se Harlan Crow ka paguar për një mënyrë jetese ekstravagante”, të cilën zoti Thomas nuk mund ta përballonte dot ndryshe.

Kjo është një shkelje e standardeve të etikës, të cilat nuk janë shumë të forta kur bëhet fjalë për Gjykatën e Lartë”, tha zoti Wyden.

Senatori demokrat Dik Durbin, kryetar i Komisionit Gjyqësor të Senatit, i kërkoi Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Roberts ta mbante shënim rastin.

"Shpresoj që kryegjykatësi Roberts ta lexojë këtë artikull këtë mëngjes dhe të kuptojë se duhet bërë diçka. Reputacioni i Gjykatës së Lartë është në rrezik dhe po kështu besueshmëria e gjykatës, kur bëhet fjalë për vendimet e saj në të ardhmen", tha ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat