Kryetari i komisionit të Jashtëm kërcënon ta akuzojë Sekretarin Blinken për mosrespektim të kërkesës së Kongresit

Amerika

Kryetari i komisionit të Jashtëm kërcënon ta akuzojë Sekretarin Blinken për mosrespektim të kërkesës së Kongresit

Më: 9 maj 2023 Në ora: 21:28
Kryetari i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, Michael McCaul, gjatë një sesioni në Kapitol (19 prill 2023)

Departamenti amerikan i Shtetit tha të hënën se nuk do të përmbushë kërkesën e ligjvënësve për t’u dorëzuar atyre raportin e plotë të administratës së Presidentit Biden për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani.

“Është për të ardhur keq që megjithëse iu dërgua një material informues, i klasifikuar si dhe një përmbledhje me shkrim, komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve vazhdon me këtë proces të panevojshëm dhe jofrutdhënës”, u tha gazetarëve zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel. “Megjithatë, ne do të vazhdojmë t’u përgjigjemi pyetjeve të ligjvënësve dhe do t’i japim Kongresit informacionin që i nevojitet për të bërë punën e tij, duke mbrojtur në të njëjtën kohë edhe aftësinë e punonjësve të Departamentit të Shtetit që të bëjnë punën e tyre”.

Kryetari i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, Michael McCaul i bëri thirrje muajin e kaluar Sekretarit të Shtetit Anthony Blinken që të dorëzojë raportin e përpiluar nga administrata pas tërheqjes kaotike të Shteteve të Bashkuara nga Afganistani në gusht të vitit 2021.

“Ekziston një interes i fortë publik që Departamenti të ndajë sa më shumë informacion që të jetë e mundur mbi raportit të tij të përpiluar pas ngjarjeve”, shkruante zoti McCaul, duke vënë në dukje se pjesë të mëdha të raportit përmbajnë materiale të klasifikuara ose të paklasifikuara.

Sipas ligjvënësit McCaul, raporti prej 87 faqesh i përpiluar në mars 2022, përmban redaktime të shumta të pashpjegueshme dhe bie drejtpërdrejt në kundërshti me deklaratat publike të administratës së Presidentit Biden që përgjithësisht fajësojnë për dështimet në operacionin e tërheqjes administratën e mëparshme të ish-Presidentit Donald Trump.

Ligjvënësi McCaul i kishte kërkuar Departamentit të Shtetit të dorëzonte të gjithë raportin deri të premten, më 5 maj.

Ligjvënësi McCaul tha të hënën se Departamenti i Shtetit nuk kishte zbatuar fletëthirrjen për të dorëzuar kabllogramin e korrikut 2021 të shkruar nga diplomatët e ambasadës amerikane në Kabul, të dërguar nëpërmjet kanalit të komunikimit të mendimeve që shprehin kundërshti, i mbiquajtur “kanali i disidencës”.

“Departamenti është tashmë në shkelje të detyrimit ligjor që ka për të dorëzuar këto dokumente dhe duhet ta bëjë këtë menjëherë”, shkruante ligjvënësi McCaul në një letër të dërguar Sekretarit Blinken të hënën. “Siç vihet re më lart, nëse Departamenti nuk përmbush detyrimin e tij ligjor, Komisioni është i përgatitur të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të zbatuar fletëthirrjen e tij, përfshirë akuzat ndaj jush për mospërfillje të Kongresit, si dhe mundësinë e fillimit të një procedure civile të zbatimit të ligjit”.

Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve ka mbajtur dëgjesa për tërheqjen, përfshirë sulmin vetëvrasës me bombë të vitit 2021 në aeroportin e Kabulit ku u vranë 13 ushtarakë amerikanë dhe 170 civilë afganë.

Raporti i administratës së Presidentit Biden thotë se vendimet e marra nga administrata e ish-Presidentit Trump për të negociuar me talebanët dhe për të caktuar një datë tërheqjeje për forcat amerikane, pamundësoi evakuimin e rregullt.

“Kur shohim se çfarë iu trashëgua Presidentit Biden, afatet kohore që ishin parashikuar dhe marrëveshja që ishte arritur gjatë administratës së ish-Presidentit Trump, Presidenti bëri gjithçka mundi për ta menaxhuar situatën”, i tha Zërit të Amerikës muajin e kaluar Ligjvënësi demokrat David Cicilline, anëtar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve. “Por ka një sërë vendimesh të marra nga administrata e mëparshme që e bënë këtë më të vështirë”.

Departamenti amerikan i Shtetit informoi ligjvënësit në fund të muajit të kaluar për përmbajtjen e kabllogramit dhe të raportit.

Kryetari McCaul, ligjvënës republikan nga Teksasi, i tha Zërit të Amerikës se kjo nuk ishte e mjaftueshme.

“Mendoj se nëse retushohen emrat, Kongresi e ka të drejtën të njihet me përmbajtjen, dhe kjo është gjithçka që kërkuam nga Sekretari (i Shtetit) – mund t’i retushoni emrat, do të njihemi me përmbajtjen në një mjedis për informacionet e klasifikuara”, tha ai. “Por, unë dua të njihem vetë me përmbajtjen, nuk e dua të filtruar nga njerëzit tuaj”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat