Lindjet në SHBA në vitin 2022 nuk u kthyen në nivelet para pandemisë

Amerika

Lindjet në SHBA në vitin 2022 nuk u kthyen në nivelet para pandemisë

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 21:09
Foto ilustrim

Numri i lindjeve në Shtetet e Bashkuara qëndroi i pandryshuar vitin e kaluar, me më pak foshnje të lindura sesa përpara pandemisë, njoftoi të enjten Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Lindjet nga nënat mbi 35 vjeç vazhduan të rriten, duke regjistruar normat më të larta për këtë grupmoshë që nga vitet 1960. Por shtimi i lindjeve të kësaj grupmoshe, u kompensua nga niveli rekord më i ulët i lindjeve nga gratë në moshë adoleshence dhe nga ato në të 20-tat, sipas CDC. Raporti bazohet në analizimin e më shumë se 99% të certifikatave të lindjeve të lëshuara vitin e kaluar.

Vitin e kaluar pati rreth 3.7 milionë foshnje të lindura, rreth 3000 më pak se viti paraardhës. Për shkak se shifrat janë të përkohshme dhe ndryshimi ishte i vogël, zyrtarët vlerësojnë se lindjet kanë qenë "në të njëjtin nivel” për vitet 2022 dhe 2021, tha Brady Hamilton, autori kryesor i raportit të CDC-së.

Lindjet në SHBA kanë qënë në rënie për më shumë se një dekadë përpara se të godiste pandemia. Më pas ato ranë me 4% mes vitit 2019 deri në vitin 2020. Lindjet u rritën me rreth 1% në vitin 2021, një rritje që ekspertët ia atribuojnë shtatzënive që çiftet i kishin shtyrë për shkak të pandemisë.

Më shumë gjetje nga raporti:

— Normat më të larta të lindjeve vazhdojnë të vërehen tek gratë në fillim të të 30-tave. Numri i lindjeve për gratë në atë moshë ishte në thelb i pandryshuar nga një vit më parë. Lindjet kanë rënë paksa për gratë në fund të të 20-tave, të cilat kanë shkallën e dytë më të lartë të lindjeve.

— Lindjet nga nënat hispanike u rritën me 6% vitin e kaluar dhe tejkaluan 25% të totalit në SHBA. Lindjet e nënave të bardha ranë me 3%, por gjithsesi përbënin 50% të lindjeve. Lindjet nga nënat afrikano-amerikane ranë me 1% dhe ishin 14% e totalit.

— Norma e lindjeve me operacion cezarian u rrit pak, në 32.2% të lindjeve. Ky është niveli më i lartë që nga viti 2014. Disa ekspertë shqetësohen se operacionet cezariane bëhen më shpesh sesa është e nevojshme nga pikëpamja mjekësore.

— SHBA-ja dikur ishte ndër vendet e pakta të zhvilluara me një normë fertiliteti që siguronte që çdo brez të kishte fëmijë të mjaftueshëm për të zëvendësuar vdekjet – rreth 2.1 fëmijë për çdo grua. Por kjo shifër ka rënë, dhe në vitin 2020 ishte në rreth 1.6, norma më e ulët e regjistruar. Ai u rrit pak në 2021, në gati 1.7, dhe qëndroi në të njëjtin nivel vitin e kaluar.

Shifrat më të plota dhe më të detajuara për vitin 2022 priten më vonë këtë vit. Këto të dhëna mund të tregojnë nëse lindjet janë prekur nga vendimi i Gjykatës së Lartë të SHBA qershorin e kaluar që lejoi shtetet të ndalojnë ose kufizojnë abortin. Ekspertët vlerësojnë se gati gjysma e shtatzënive janë të paqëllimshme, kështu që kufizimet për qasjen tek aborti mund të ndikojnë në numrin e lindjeve.

Është e mundur që kufizimet e abortit do të çojnë në nivele më të larta të lindjeve në vitin 2023 – më shumë gjasa tek gratë më të reja sesa nënat më të rritura, thotë Ushma Upadhyay, një studiuese e shëndetit riprodhues në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko. Por edhe nëse ka një rritje, ajo mund të mos e kthejë vendin në nivelet e lindjeve para pandemisë, duke pasur parasysh prirjet e tjera, shton ajo./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat