Biden do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje dentare

Amerika

Biden do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje dentare

Më: 12 qershor 2023 Në ora: 18:14
Presidenti amerikan, Joe Biden. Fotografi nga arkivi.

Presidenti amerikan, Joe Biden, do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje dentare, përkatësisht do të bëjë trajtimin e rrënjës së kanalit. Ndërhyrja do të bëhet në Shtëpinë e Bardhë, tha mjeku i presidentit, duke detyruar zyrtarët që menjëherë të ndryshojnë agjendën e planifikuar të Bidenit.

Mjeku i Bidenit, Kevin C. O'Connor, tha përmes një deklarate se presidenti – që është 80 vjeç dhe është personi më i vjetër që ka shërbyer si president i SHBA-së – kishte “shqetësime” nga një dhëmbë në anën e djathtë të nofullës së poshtme, që ishte trajtuar pjesërisht.

Zyra për media e Shtëpisë së Bardhë tha se ndërhyrja do të kryhet në Shtëpinë e Bardhë.

Edhe pse në deklaratën e mjekut nuk u përmend asnjë rrezik për shëndetin e Bidenit, kjo ndërhyrje duket se ka qenë e paplanifikuar, pasi presidenti anuloi pjesëmarrjen në një ngjarje disa orë para se të niste.

Shtëpia e Bardhë tha se Biden nuk do t’i nënshtrohet anestezionit të përgjithshëm dhe se amendamenti 25 i Kushtetutës amerikane nuk do të përdoret. Ky amendament, i miratuar më 1967, ka të bëjë me zëvendësimin e presidentit kur ai është i paaftë të kryejë detyrën.

Po ashtu, mbetet e paqartë nëse do të realizohet takimi mes Bidenit dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, që ishte planifikuar më herët./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat