Ndikimi i ligjeve kundër abortit tek kujdesi shëndetësor për gratë shtatzëna

Amerika

Ndikimi i ligjeve kundër abortit tek kujdesi shëndetësor për gratë shtatzëna

Më: 13 qershor 2023 Në ora: 17:51
Foto ilustrim

Në Shtetet e Bashkuara, qasja e grave në qendrat e abortit varet nga shteti ku ato jetojnë. Shteti i Ajdahos ka disa nga ligjet më të ashpra kundër abortit, të cilat mund të kenë ndikim tek gratë shtatzëna.

Rhianna Olds po përballet me një shtatzëni me rrezik të lartë. Ajo është në muajin e tetë dhe kontrollet i bënte tek një specialist lokal, deri para ndërprerjes së shërbimeve për gratë shtatzëna nga spitali, i cili përmend si shkak mungesën e personelit dhe atë që e quan "klimë jo të mirë ligjore dhe politike" në Ajdëho.

"Një muaj para lindjes më thanë "Po e mbyllim këtë shërbim në spital". Kështu që ne nuk dinim se çfarë të bënim", thotë ajo.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara vitin e kaluar, që i dha fund mbrojtjes ligjore në nivel federal të së drejtës për abort, Ajdaho miratoi disa nga kufizimet më të ashpra për abortit në vend, sipas të cilave mjekët mund të përballen me deri në pesë vjet burg për ndërprerjen e shtatzënisë, me përjashtim të rasteve të përdhunimit, incestit dhe atyre kur jeta e nënës është në rrezik. Dr. John Werdel është drejtor i shëndetit të grave në Qendrën Mjekësore St. Luke's Boise.

Infermierët, anesteziologët dhe farmacistët janë të frikësuar. Mjekët presin. Ata kontaktojnë avokatët e tyre. Ndoshta të gjithë kemi kontaktuar avokatë në tetë muajt e fundit më shumë se çdo herë tjetër në karrierën tonë”, thotë ai.

Asnjë qendër mjekësore në Ajdëho nuk është ndjekur penalisht në bazë të ligjit të ri, por zoti Werdel thotë se rreziku i perceptuar i kësaj mundësie është real.

Ndjenja e frikës në procesin e vendimmarrjes në mjekësi mund të shkaktojë probleme. Mendoj se në fund, është vërtet e rëndësishme që në momentet e vështira mjeku të përqendrohet tek shëndeti i pacientit. Nuk do të ishte mirë që mjekët të përqendrohen në rreziqet për veten e tyre”, thotë ai .

Senatori i shtetit Ajdëho, Ben Adams, i mbështet kufizimet e abortit dhe është skeptik për lidhjen e tyre me ndërprerjet e shërbimeve të lindjes nga spitalet.

"Ndonjëherë njerëzit shohin një çështje që nuk u pëlqen dhe ngrejnë zërin kundër tyre dhe e shfrytëzojnë atë për qëllimet e tyre, sepse ata mendojnë se kështu funksionon bota”, thotë ai.

Zoti Adams thotë se ligjvënësit po balancojnë një mjedis të shëndetshëm për personelin mjekësor pa hequr dorë nga ato që ai thotë se janë parime të elektoratit.

“Sa herë që ka një ndryshim në ligj, ka edhe reagime. Kjo nuk do të thotë që ju nuk duhet ta ndryshoni atë. Ne duam të mbrojmë jetën e foshnjave të pa lindura në shtetin e Ajdëhos”, thotë ai.

Rhianna Olds duhet të udhëtojë tani në një distancë prej 90 kilometrash deri në spitalin më të afërt që ofron shërbime lindjeje.

Ajo thotë se është e shqetësuar për gratë në shtetin e saj.

Do të kem dy vajza. Nuk e di a do të qëndroj në Ajdëho për t’i rritur ato apo do të lëviz në një shtet tjetër. Ky është një vendim i vështirë”, thotë ajo.

Vitin e kaluar, kishte 10 specialistë të shtatzënisë me rrezik të lartë në Ajdëho. Zoti Werdel mendon se deri në fund të vitit do të mbeten vetëm pesë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat