Trump deklarohet i pafajshëm ndaj 37 akuzave për mbajtje të qëllimtë të dokumenteve sekrete

Amerika

Trump deklarohet i pafajshëm ndaj 37 akuzave për mbajtje të qëllimtë të dokumenteve sekrete

Më: 14 qershor 2023 Në ora: 06:11
Foto ilustrim

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump deklaroi të martën se ishte i pafajshëm ndaj akuzave federale për mbajtje të paautorizuar të dokumentave sekrete të sigurisë kombëtare pas largimit nga detyra dhe i gënjeu zyrtarët që kërkuan rikthimin e tyre.

Deklarimi i zotit Trump para gjykatësit Jonothan Goodman në gjykatën federale të Majamit, shënon fillimin e një beteje ligjore që ka gjasa të vazhdojë gjatë muajve të ardhshëm ndërsa ish-presidenti vazhdon fushatën për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e 24 nëntorit të vitit 2024. Ekspertët parashikojnë se mund të duhet një vit ose më shumë para se të zhvillohet gjyqi.

Gjykata nuk i vuri kushte financiare apo kufizime udhëtimi zotit Trump. Gjykatësi Goodman vendosi që zoti Trump nuk lejohej të komunikonte me dëshmitarët e mundshëm për këtë rast.

Ish-ndihmësi i zotit Trump, Walt Nauta, gjithashtu i akuzuar në këtë çështje, u paraqit në gjykatë së bashku me zotin Trump, por nuk do të deklarohet rreth akuzave deri më 27 qershor, sepse ai nuk ka një avokat vendas. Ai gjithashtu u lirua pa pasur nevojë për garanci financiare dhe u urdhërua që të mos fliste me deshmitarët e tjerë.

ÇFARË NDODHI NE GJYKATË?

Avokati i zotit Trump tha se klienti i tij deklaron se ishte i pafajshëm. Gjykata nuk i vuri kushte financiare apo udhëtimi me mirëkuptimin për t’u paraqitur në gjykatë në të ardhmen.

Gjatë seancës 50-minutëshe në fytyrën e tij u vunë re disa herë ndjenja zemërimi, por nuk pati shprehi të tjera. Ai mblodhi krahët, ndërsa mbante në dorë një stilolaps dhe kryqëzonte gishtat e dorës ndërsa dëgjonte.

Përpara se të fillonte seanca ai u pëshpëriti diçka në vesh avokatëve të tij, por nuk foli fare gjatë procedurës. Ai qëndroi pa lëvizur në karrige ndërsa avokati i tij u ngrit në këmbë dhe foli në emër të klientit.

“Padyshim, ne deklarojmë pafajsinë”, i tha avokati gjykatësit.

Avoakti Blanche e kundërshtoi vendimin e gjykatësit për ndalimin e ish-presidentit që të fliste me dëshmitarët, përfshirë ish-ndihmësin e tij, gjithashtu të akuzuar, Walt Nauta, duke thënë se ata punojnë për zotin Trump dhe ai duhet të jetë në gjendje të komunikojë me ta.

Pas disa ecejakjesh, gjykatësi Jonathan Goodman tha se zoti Trump nuk mund të flasë me ta për çështjen përveçse nëpërmjet avokatëve të tij, por ai mund të flasë me ta për punën.

Ndryshe nga akuza ndaj zotit Trump në Nju Jork, në gjykatën federale në Majami nuk u lejuan kamerat.

ÇFARË NDODH MË PAS?

Pas seancës, zoti Trump shkon në klubin e tij të golfit në Bedminster, Nju Xhersi, ku do të mbajë një fjalim dhe do zhvillojë një darkë për mbledhje fondesh.

Përpara se të nisej për në aeroport, autokolona e zotit Trump ndaloi në restorantin “Versailles” në lagjen “Little Havana” të Majamit, ku një turmë e vogël mbështetësish e priste atë. Pasi bëri foto me të pranishmit, zoti Trump komentoi shkurt për çështjen.

“Mendoj se po shkon mirë”, tha ai. “Ne kemi një vend të manipuluar. Kemi një vend të korruptuar”. Disa udhëheqës fetarë u lutën për të në restorant.

Mbështetësit brohoritën "Ne e duam Trumpin" ndërsa autokolona e tij u largua nga gjykata në orën 15:55, afërsisht dy orë pas mbërritjes. Zoti Trump është ish-presidenti i parë që akuzohet për krime federale.

Autoritetet federale kishin rritur masat e sigurisë përreth ndërtesës dhe zyrtarët e Majamit thanë se janë të përgatitur për të parandaluar dhunën e mundshme nga mbështetësit e zotit Trump dhe kundër-protestuesit.

Në qytetin tonë, ne sigurisht që besojmë tek Kushtetuta dhe se njerëzit duhet të kenë të drejtën të shprehen”, tha gjatë një konference për shtyp të hënën Kryetari i Bashkisë së Majamit, Francis Suarez. “Por, ne gjithashtu besojmë tek ligji dhe rendi. Dhe e dimë, dhe shpresojmë, se e nesërmja do të jetë paqësore”.

Një oficer i Shërbimit Federal të Mbrojtjes duke rrethuar me shirita godinën e gjykatës në Majami

Ngritja e akuzave zyrtarisht ndaj ish-presidentit, vjen pesë ditë pasi juria e madhe federale në Majami miratoi 37 akuza penale ndaj tij, 31 prej të cilave e akuzojnë ish presidentin për “mbajtje të qëllimshme” të dokumenteve të klasifikuara të sigurisë kombëtare, në shkelje të Ligjit të Spiunazhit.

Një ndihmës i zotit Trump, Walt Nauta, gjithashtu u akuzua në lidhje me pengimin e përpjekjeve të qeverisë për të marrë dokumentet.

Zoti Trump është i pari ish-president që përballet me akuza federale. Kjo është hera e dytë brenda dy muajve që ndaj tij ngrihen akuza.

Ai përballet me akuza penale të një natyre tjetër në Nju Jork në lidhje me një pagesë për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, gjatë fushatës së tij elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Gjatë seancës së të martës, gjykatësja do ta informojë zotin Trump për të drejtat e tij dhe do t’i lexojë akuzat e ngritura ndaj tij. Ai pritet që të vetëdeklarohet i pafajshëm.

Çështja i është caktuar Gjykatëses Aileen Cannon. Ajo është emëruar nga zoti Trump gjatë kohës që ai ishte president, dhe u kritikua për favorizim të ish-presidentit gjatë vendimeve që mori për këtë çështje vitin e kaluar.

Gjykatësja Cannon ua ndaloi për pak kohë hetuesve federalë shqyrtimin e dokumenteve të marra nga prona e zotit Trump, Mar-a-Lago, gushtin e kaluar dhe emëroi një ekspert të posaçëm për t’i shqyrtuar ato. Por, një gjykatë apeli e rrëzoi vendimin e saj, duke u shprehur se ajo nuk kishte autoritet për të marrë një vendim të tillë.

Akuzat ndaj ish-Presidentit Trump u ngritën bazuar mbi një hetim që filloi pasi ai thuhet se refuzoi përpjekjet e përsëritura të Arkivave Kombëtare për të dorëzuar dokumentet që ai kishte nxjerrë nga Shtëpia e Bardhë dhe që i mbante në Mar-a-Lago.

Dokumenti federal radhit 31 akuza ndaj ish-Presidentit Trump për “mbajtje të qëllimshme” të informacionit të klasifikuar të sigurisë kombëtare, për secilin nga dokumentet që mori nga Shtëpia e Bardhë.

21 prej këtyre dokumenteve gjendeshin ndër mbi 100 dokumentet që FBI-ja i zbuloi gjatë kontrollit në Mar-a-Lago në gushtin e kaluar.

Akuza thotë se dokumentet përmbanin informacion të klasifikuar për programet bërthamore të Shteteve të Bashkuara, për pikat e dobëta të Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve aleate në rast të një sulmi, si dhe planet për përgjigjen e mundshme ndaj sulmit. Akuza thotë se ekspozimi i këtyre dokumenteve mund të rrezikojë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Gjashtë akuzat e tjera – ku përfshihet pengimi i drejtësisë, konspiracion për të penguar drejtësinë dhe deklarimet e rreme – kanë të bëjnë me përpjekjet e zotit Trump për të penguar hetimin dhe për të fshehur mbajtjen prej tij të dokumenteve të klasifikuara.

Zoti Trump pretendon se ka patur një urdhër për të çklasifikuar të gjitha dokumentet e zhvendosura nga Zyra Ovale për në rezidencën e tij brenda Shtëpisë së Bardhë.

Por, akuza thotë se ish-Presidenti Trump ishte i ndërgjegjshëm për ligjet në fuqi për informacionin e klasifikuar të sigurisë kombëtare dhe se i shkeli ato me dashje.

Në një rast në korrik 2021, zoti Trump akuzohet se ua tregoi një dokument për një “plan sulmi” një grupi prej katër personash, që nuk ishin të autorizuar të njiheshin me informacione të klasifikuara – një shkrimtari, një botuesi dhe dy punonjësve – në klubin e tij të golfit në Nju Xhersi, duke u thënë atyre se dokumenti ishte “shumë i klasifikuar” dhe “sekret” dhe se ai nuk mundej më ta çklasifikonte atë.

Në një rast tjetër, në shtator 2021, zoti Trump i tregoi një hartë të klasifikuar një përfaqësuesi të organizatës së tij politike për fushatën elektorale, duke i thënë personit në fjalë se “nuk duhej t’ia tregonte dhe se ai nuk duhej të afrohej shumë” pranë hartës, thuhet në akuzë.

Pas paraqitjes së akuzave, zoti Trump pritet të lihet në gjendje të lirë. Data e fillimit të procesit gjyqësor ndaj tij mbetet e paqartë. Disa ekspertë thonë se mund të duhen muaj të tërë që të fillojë dhe se madje edhe mund të shtyhet deri pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

Megjithë problemet e shtuara me sistemin gjyqësor, zoti Trump është i lirë të vazhdojë fushatën për president dhe është zotuar se do ta vazhdojë fushatën edhe nëse shpallet fajtor.

“Nuk do të largohem kurrë”, tha zoti Trump gjatë një interviste me revistën ‘Politico’ të shtunën.

Pas njohjes me akuzat, zoti Trump pritet të udhëtojë me avion drejt klubit të tij të golfit në Nju Xhersi, ku do të organizojë aktivitetin e parë për mbledhje fondesh për fushatën e tij elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat