SHBA: Masa për kufizimin e çmimit të naftës ruse ka dobësuar ekonominë e Rusisë

Amerika

SHBA: Masa për kufizimin e çmimit të naftës ruse ka dobësuar ekonominë e Rusisë

Më: 16 qershor 2023 Në ora: 09:07
Foto ilustrim

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Thesarit tha të enjten se masa për kufizimin e çmimit të naftës ruse po pakëson burimin kryesor të të ardhurave për Rusinë, ndërsa Moska po vazhdon luftën në Ukrainë.

Kur Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera ekonomike në Grupin e Shtatë vendeve më të zhvilluara të botës, së bashku me Bashkimin Evropian dhe Australinë, shpallën vitin e kaluar një plan ambicioz për të vendosur një kufi për çmimin e naftës ruse, zyrtarët amerikanë thanë se kjo do t'i jepte një goditje gjymtuese ekonomisë ruse.

"Në vetëm gjashtë muaj, kufiri i vendosur për çmimin e naftës ruse ka kontribuar në një rënie të ndjeshme të të ardhurave për Rusinë në një moment kyç të luftës në Ukrainë", tha zëvendës sekretari i Thesarit Wally Adeyemo të enjten në Qendrën për një Siguri të Re Amerikane, duke theksuar se Rusia kishte pësuar rreth 50 për qind rënie të nivelit të të ardhurave nga shitja e naftës krahasuar me një vit më parë.

Masa për kufizimin e çmimit të naftës ruse u vendos me shpresën se ajo do ta nxiste presidentin e Rusisë Vladimir Putin t’i jepte fund sulmit ndaj Ukrainës.

Vendet aleate e kanë goditur Rusinë edhe me sanksione të shumta gjatë 16 muajve të luftës në Ukrainë. Sanksionet kanë vënë në shënjestër transaksionet bankare dhe financiare, importet e teknologjisë, prodhimin dhe rusët që kanë lidhje me qeverinë e Vladimir Putinit.

Zoti Adeyemo tha se së fundmi taksa e re e Kremlinit mbi kompanitë e naftës, e vendosur për të kompensuar mungesën e të ardhurave, është dëshmi e suksesit të masës për kufizimin e çmimit të naftës ruse.

"Ky ndryshim do të kufizojë përparimin e kompanive ruse të naftës, duke i lënë ato me më pak fonde për të investuar në kërkim dhe prodhim dhe me kalimin e kohës do të zvogëlojë kapacitetin prodhues të sektorit të naftës në Rusi", tha ai. "Ka prova të qarta të suksesit të masës për kufizimin e çmimit të naftës ruse."

Lauri Myllyvirta, analist i Qendrës për Kërkime për Energjinë dhe Ajrin e Pastër, me qendër në Finlandë, tha se ndërsa kufiri për çmimin e naftës ka ndikuar në ekonominë e Rusisë, ndalimi i importit të naftës nga BE-ja ka pasur më shumë efekt në uljen e të ardhurave ruse nga shitja e naftës.

BE-ja njoftoi vitin e kaluar një ndalim të importit të naftës ruse dhe produkteve të tjera nga rafineritë ruse. Dhe në shkurt, Evropa vendosi një ndalim të importit për naftën e përpunuar ruse.

"Kombinimi i ndalimit të importit të naftës në BE dhe kufiri për çmimin e naftës ruse patën një ndikim të madh, por ndalimi i importit të naftës nga BE-ja ka qenë masa më me ndikim", tha analisti Myllyvirta,

Ai tha gjithashtu se kufiri për çmimin e naftës ruse është shumë i lartë për të patur një ndikim më domethënës në të ardhurat ruse nga shitja e naftës. Kufiri për çmimin e naftës ruse ka mbetur në nivelin 60 dollarë për fuçi.

Në përgjigje të masave ndëshkuese, Rusia ka ulur prodhimin e saj të naftës dhe njoftoi këtë muaj se do të zgjasë shkurtimet e prodhimit me nivelin 500 mijë fuçi në ditë deri në fund të dhjetorit 2024.

“Kjo është një masë paraprake e marrë në koordinim me marrëveshjen me vendet e OPEC-ut, që njoftoi shkurtime vullnetare prodhimit të naftës në prill”, tha zëvendëskryeministri i Rusisë, Alexander Novak, në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të qeverisë ruse.

Shkurtimet vullnetare mund të jenë pjesërisht për shkak të rënies së kërkesave për naftë.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë publikoi këtë javë parashikimin e saj pesëvjeçar për kërkesat për naftë, i cili sugjeron se dominimi i lëndëve djegëse fosile në industrinë e makinave ka filluar të zbehet.

Kjo është pjesë e një prirjeje në rritje të përpjekjeve të vendeve të botës për të trajtuar ndryshimet klimatike duke kaluar drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë, një veprim që do të fillojë të pakësojë kërkesat për naftë dhe mund të zvogëlojë fuqinë ekonomike të vendeve si Rusia.

Sipas parashikimit të Agjencisë Ndëkombëtare të Energjisë, kërkesa për benzinë do të arrijë kulmin në vitin 2023, ndërsa kërkesat për karburantet e përgjithshme të transportit do të arrijnë kulmin në vitin 2026. Agjencia Ndëkombëtare e Energjisë thekson se ky është "rezultat i një kthese drejt burimeve me emetim më të ulët të shkaktuar nga kriza globale e energjisë", i rritjes së efikasitetit dhe rritjes së shitjeve të makinave elektrike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat