Sondazhi, gjysma e amerikanëve besojnë se djali i Presidentit Biden u trajtua në mënyrë preferenciale

Amerika

Sondazhi, gjysma e amerikanëve besojnë se djali i Presidentit Biden u trajtua në mënyrë preferenciale

Më: 23 qershor 2023 Në ora: 20:01
Hunter Biden, djali i Presidentit Joe Biden

Sipas një anketimi të agjencisë së lajmeve Reuters dhe kompanisë së sondazheve IPSOS gjysma e amerikanëve besojnë se Hunter Biden, djali i Presidentit Joe Biden u trajtua në mënyrë preferenciale për arritjen e një marrëveshjeje me Departamentin e Drejtësisë ku ai pritet të pranojë fajësinë për akuzat federale që lidhen me mospagim të taksave federale dhe për armëmbajtje pa leje gjatë kohës që ishte përdorues droge. Falë kësaj ujdie ai pritet të shmangë dënimin me burg.

Sondazhi tregon se amerikanët ishin të ndarë sipas bindjeve partiake në mënyrën si e shihinin këtë çështje. Konkretisht, nga personat e anketuar, 75 për qind e tyre me bindje republikane besonin se zoti Hunter Biden u trajtua në mënyrë preferenciale, krahasuar me vetëm 33 për qind të demokratëve.

Shumica e të anketuarave thanë se rasti me djalin e zotit Biden nuk do të ndikonte në vendimarrjen e tyre për të votuar vitin e ardhshëm në zgjedhjet presidenciale.

David Weiss, prokuror i shtetit të Dellauerit, i cili kreu hetimet ndaj djalit të Presidentit njoftoi të martën arritjen e marrëveshjes. Zoti Weiss u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump, dhe u mbajt në detyrë edhe pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të Joe Biden-it, me synimin për të vazhduar të trajtojë këtë çështje me ndjeshmëri politike.

Zoti Trump dhe aleatët e tij republikanë kanë ngritur kritika për marrëveshjen e prokurorëve me zotin Hunter Biden dhe shqetësimet për standardet e dyfishta në sistemin e drejtësisë amerikane janë tashmë një temë në fushatën presidenciale të vitit 2024.

Djali i zotit Biden ka punuar si avokat, këshilltar për kompani të huaja, investitor bankar dhe i ka pranuar publikisht problemet e tij me përdorimin e lëndëve narkotike.

Sipas akuzës, zoti Hunter Biden pati të ardhura prej më shumë se 1.5 milion dollarësh në vitin 2017 dhe 2018. Por ai nuk pagoi tatimet mbi të ardhurat për ato vite, pavarësisht detyrimeve prej më shumë se 100,000 dollarësh.

Ai akuzohet se zotëronte në mënyrë të paligjshme një armë zjarri për disa ditë në tetor të vitit 2018, kohë kur ai përdorte dhe kishte varësi ndaj drogës. Në Shtetet e Bashkuara është e paligjshme që përdoruesit e drogës të mbajnë armë zjarri. Ai arriti një marrëveshje paraprake me prokurorinë, një procedurë që përdoret në disa raste pë t’i lejuar të pandehurit që të shmangin burgun ose dënimin penal.

Marrëveshjet e Hunter Biden-it me Departamentin e Drejtësisë tashmë duhet të miratohen nga një gjykatës federal. Ai pritet të dalë para gjykatës së shtetit të Dellauerit në 26 korrik, ku pritet të pranojë fajësinë dhe të zyrtarizojë marrëveshjen. Nëse nuk do të ketë ndërlikime të minutës së fundit, gjasat janë që ai të mos dënohet me burg./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat