SHBA, politikanët dhe aktivistët të ndarë për sa i përket pasojave të vendimeve të Gjykatës së Lartë

Amerika

SHBA, politikanët dhe aktivistët të ndarë për sa i përket pasojave të vendimeve të Gjykatës së Lartë

Më: 3 korrik 2023 Në ora: 16:53
Foto ilustrim

Politikanët dhe aktivistët janë të ndarë për sa i përket pasojave të mundshme të vendimeve të marra javën e kaluar nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, ndërsa disa lavdërojnë gjykatësit konservatorë që përbëjnë shumicën e gjykatës prej nëntë anëtarësh, të tjerë ngrenë pyetjen nëse vendimet e tyre mund të dëmtojnë disa prej pakicave.

Anëtarët e komunitetit LGBTQ, studentët që kanë marrë kredi për studimet universitare dhe persona të tjerë, që mund të kishin përfituar nga përdorimi i racës si kriter pranimi në universitete, janë duke u përpjekur të vlerësojnë pasojat e vendimeve të marra javën e kaluar nga Gjykata e Lartë.

Ish-Nënpresidenti Mike Pence, i cili foli për rrjetin televiziv ABC, refuzoi shqetësimet se dhënia fund e politikave që favorizojnë pakicat e nënpërfaqësuara do të ndikonte tek shumëllojshmëria e studentëve në kolegjet dhe universitetet amerikane.

Kam të gjithë besimin se afrikano-amerikanët dhe amerikanët nga pakicat e tjera do të vazhdojnë të konkurojnë me sukses në universitetet në mbarë vendin. Por, do ta arrijmë këtë me një shoqëri që nuk bën dallime në bazë të ngjyrës, gjë që është aspiratë e të gjithë amerikanëve”, tha ish-Nënpresidenti Pence.

Aktivistët që luftojnë për barazi racore janë skeptikë.

U bëjmë thirrje vetë universiteteve të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë domethënëse për të rekrutuar studentë të paprivilegjuar. Asgjë në vendimin e gjykatës nuk e pengon këtë”, tha David Hinojosa, nga Komiteti i Juristëve për të Drejtat Civile.

Gjithashtu, plani i Presidentit Joe Biden për të anuluar apo falur pjesë të borxheve studentore, u rrëzua nga Gjykata e Lartë.

Ligjvënësi demokrat Ro Khanna kritikoi këtë vendim të gjykatës kur u pyet nga kanali ABC.

Janë gjithë këta studentë të cilëve u ishte premtuar se do t’u faleshin borxhet. Unë kisha 150 mijë dollarë borxhe studentore. Pata periudha të jetës sime kur m’u desh të rezervohesha shumë. Tani jam me fat që munda t’i shlyej, por ishte vërtet e vështirë”, tha Ligjvënësi Khana.

Kritikët thonë se anëtarët e komunitetit LGBTQ mund të bëhen objekt diskriminimi të ri, pasi shumica konservatore në Gjykatën e Lartë vendosi në favor të një sipërmarrëseje që nuk pranon të ofrojë shërbimin e saj për çiftet e së njëjtës gjini.

Për shumicën e gjykatësve, kjo ka të bëjë me njerëz të cilëve u është kufizuar e drejta e shprehjes në krijimtari. Për pakicën, kjo ka të bëjë me klientë që përpiqen të marrin shërbimin në treg dhe të cilët refuzohen”, thotë profesorja e juridikut Linda McClain.

Sipas Nënpresidentit Pence, kjo ishte një fitore për lirinë e besimit.

Kjo shumicë e fortë konservatore riafirmoi gjithashtu të drejtën e çdo amerikani për të jetuar, për të punuar, për të adhuruar sipas ndërgjegjes së tyre”, tha ish-Nënpresidenti Pence.

Gjykata e Lartë ka filluar tashmë pushimet dhe do të vazhdojë me seancat dëgjimore për raste të tjera në muajt në vazhdim./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat