Koncert në kryeqytetin amerikan me rastin e 4 korrikut

Amerika

Koncert në kryeqytetin amerikan me rastin e 4 korrikut

Më: 4 korrik 2023 Në ora: 15:02
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara festojnë sot 4 korrikun, përvjetorin e 247 të pavarësisë nga Britania. Amerikanët e shënojnë këtë ditë feste me muzikë, parada dhe fishekzjarre. Gatimet në ambiente të jashtme, të shoqëruara me një birrë të ftohtë, janë pjesë e kulturës amerikane.

Për të 43-tin vit rresht koncerti “A Capitol Fourth” që shënon ditën e pavarësisë, do të transmetohet në kanalin televiziv publik. Koncerti mbahet përkarshi rrugës ku ndodhet Zëri i Amerikës, dhe në sfond ka fishekzjarret mbi kryeqytetin amerikan.

“Doja të isha pjesë e festimeve sepse është nder për mua të drejtoj këtë shfaqje madhështore. Është hera e 43-të që mbahet kjo shfaqje e përvitshme. Më katër korrik festojmë ditëlindjen e 247 të Amerikës. Në shfaqje marrin pjesë grupe artistësh të njohur. Do të interpretojnë ‘Babyface’, ‘Boyz II Men’, ‘Chicago’, Belinda Carlisle, Orkestra Simfonike Kombëtare, Renée Fleming, Maddie & Tae, Charles Esten. Jam shumë i emocionuar të ndaj skenën me ta”, thotë Alfonso Ribeiro, prezantues dhe aktor.

Koncerti “A Capitol Fourth” do të transmetohet gjithashtu për trupat amerikane që shërbejnë në mbarë botën.

Në Nju Jork, pjesëmarrësit në konkursin e famshëm ndërkombëtar të ngrënies së hotdogëve u peshuan para garës. Mbajtësi i rekordeve, Joey Chestnut pozoi me një nga rivalët e tij.

“Jam jashtëzakonisht me fat që jam pjesë e kësaj ngjarjeje të mrekullueshme. Më pëlqejnë shumë hotdogët. E dua katër korrikun, dhe jam shumë i lumtur”, thotë Joey Chestnut, mbajtës i rekordeve për ngrënien e hotdogëve.

Gjashtëmbëdhjetë burra dhe 15 gra po konkurrojnë në garën e këtij viti. Fituesit nga të dy grupet do të marrin 20,000 dollarë çmime. Organizatori, kompania e njohur e hotdogëve, Nathan’s do të dhurojë 100,000 hotdogë për shoqatat që ushqejnë të pastrehët në qytetin e Nju Jorkut./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat