SHBA, ish-refugjati kthen jelekët e shpëtimit në veshje mode

Amerika

SHBA, ish-refugjati kthen jelekët e shpëtimit në veshje mode

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 16:46
Foto ilustrim

E themeluar nga një ish-refugjat, kompania me seli në Minesota, “Epimonía” kthen materialin e jelekëve të shpëtimit të përdorur nga refugjatët në pjesë të veshjeve të modës dhe sende të tjera veshjesh. Disa nga këto veshje u shfaqën në një ekspozitë në Uashington mbi krizën e refugjatëve.

Këto nuk janë jelekë të zakonshëm shpëtimi. Ato janë veshur nga refugjatë në pjesë të ndryshme të botës, të cilët rrezikuan jetën e tyre duke kaluar Detin Mesdhe në përpjekjet për të arritur në Evropë.

Tani ato janë kthyer në një koleksion mode të krijuar nga “Epimonía”, një kompani me seli në Minesota, e themeluar në vitin 2018.

Prindërit e themeluesit të kompanisë “Epimonía”, Mohamed Malim, u larguan nga Somalia gjatë konfliktit në vitet 1990. Ai ka lindur në kompleksin e kampit të refugjatëve Dadaab të Kenias përpara se të vendosej në Shtetet e Bashkuara.

“Ne i kthejmë jelekët e shpëtimit në veshje të modës. Qëllimi i kësaj nisme është ndërgjegjësimi i botës për krizën e refugjatëve dhe mbështetja e refugjatëve me materiale të ripërtëritshme”, thotë Mohamed Malim, themelues i kompanisë.

Koleksioni i tij i modës dhe disa nga jelekët e shpëtimit dhe varkat e përdorura nga refugjatët ishin pjesë e një ekspozite më 17 qershor në një galeri në Uashington. Në këtë ekspozitë u shfaqën instalacione artistike dhe poezi që demonstronin historitë njerëzore të krizës së refugjatëve në Detin Mesdhe.

“Në këtë ekspozitë në thelb ne respektojmë dhe nderojmë refugjatët që po ikin nga zonat e konfliktit. Ne tregojmë historitë e refugjatëve që detyrohen të largohen nga vendet e tyre”, thotë zoti Malim.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin thotë se Deti Mesdhe është një nga vendkalimet detare më të rrezikshme në botë. Drejtori i kësaj organizate thotë se në këtë zonë mbi 20 mijë njerëz kanë humbur jetën që nga viti 2014.

Për këtë ekspozitë, zoti Malim bashkëpunoi me poetin dhe autorin amerikano-somalez Elias Yabarow, i cili njihet edhe me emrin tij artistik ALAKKUU. Ai thotë se qëllimi i ekspozitës është sjellja e njerëzve më afër këtyre historive personale të refugjatëve.

“Lajmet mbi këto lloje udhëtimesh janë gjithmonë vetëm shifra. Nëntë persona arrijnë në brigjet e këtij qyteti ose 12 njerëz ndodhen në brigjet e atij vendi. Nga lajmet e tilla nuk mund të kuptoni se kush janë këta njerëz, ose se pse janë detyruar të largohen nga vendet e tyre. Kështu që ne vërtet donim ta bënim këtë një histori shumë më të kuptueshme”, thotë poeti Elias Yabarow.

Mohamed Malim thotë se dëshiron që veshjet e tij të modës të tregojnë historinë e udhëtimit të refugjatit që i ka veshur ato./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat