Kalvari i gazetarit amerikan të burgosur në Rusi

Amerika

Kalvari i gazetarit amerikan të burgosur në Rusi

Më: 14 korrik 2023 Në ora: 17:52
Foto nga vendi i ngjarjes

Gazetari amerikan Evan Gershkovich vazhdon të mbahet i burgosur në Rusi. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Liam Scott, anëtarët e familjes dhe kolegët folën për përpjekjet që po bëjnë për lirimin e tij.

Motra e gazetarit Evan Gershkovich, Danielle ende e ka të vështirë ta besojë arrestimin e të vëllait. Ajo thotë se familja mezi pret që gazetari i Wall Street Journal, të kthehet në shtëpi.

Thjesht po mundohemi të mësojmë gjithçka mundemi, dhe përpiqemi të qëndrojmë të fortë, përpiqemi ta mbajmë vëmendjen tek rasti i Evanit”, thotë Danielle.

Evan Gershkovich po kryente rolin e tij si gazetar më 29 mars kur Rusia e burgosi me akuza për spiunazh.

Vetë zoti Gershkovich, gazeta The Wall Street Journal, si dhe autoritetet amerikane i mohojnë akuzat dhe thonë se ai po mbahet në mënyrë të paligjshme.

Këshilltari juridik i gazetës, Jason Conti, thotë se Rusia ka mohuar kërkesat për lirimin me kusht dhe për vizita të mëtejshme konsullore. Dhe çdo ditë që Evani vazhdon të qëndrojë pas hekurave e shton dhimbjen.

Në përgjigje të një kërkese për koment të Zërit të Amerikës, ambasada ruse në Uashington iu referua një deklarate të zëdhënësit të presidentit rus Dmitry Peskov, i cili ka përmendur mundësinë e një shkëmbimi të burgosurish.

Presidenti amerikan Joe Biden tha të enjten se procesi është “duke u zhvilluar”.

Ndërsa zoti Gershkovich është burgosur tashmë për mbi 100 ditë, familja dhe kolegët po përpiqen të qëndrojnë të fortë.

Nuk mendoj se kishte diçka të veçantë Evani apo gazeta Wall Street Journal. Ai ishte një amerikan që përpiqej atje të pasqyronte këndvështrimin e Rusisë, dhe në vend të tij mund të kishte qenë dikush tjetër. Dhe mendoj se është dekurajuese kur shikon gazetarinë të trajtohet si krim”, tha Paul Beckett, drejtuesi i redaksisë në Uashington të gazetës “The Wall Street Journal”.

Rusia ka një historik të mosrespektimit të lirisë së shtypit, por nuk është vendi i vetëm që burgos gazetarët perëndimorë.

Bashkëpunëtori i gazetës “The Washington Post”, Jason Rezaian, që u mbajt për 544 ditë në burgun e Teheranit, dha këshillat e tij për rastin e Evanit.

“Do të përfundojë dikur edhe ky makth, por është e vështirë të dihet se kur, dhe mendoj se pasiguria e situatës së Evanit është aspekti më i vështirë”, tha zoti Rezaian.

Në mbarë botën, gjithnjë e më shumë gazetarë rrezikohen të arrestohen si zoti Gershkovich, në vende si Kina, Rusia dhe Irani, thotë zoti Rezaian.

Shqetësimi im më i madh është se këto probleme po bëhen gjithnjë e më të rënda. Gjithnjë e më shumë amerikanë, gjithnjë e më shumë gazetarë po përballen me këto probleme në mbarë botën”, tha ai.

Dhe ndërsa bëhet gjithnjë e më vështirë për gazetarët që të raportojnë nga brenda Rusisë, audienca po lihet gjithnjë e më shumë në terr informativ./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat