Trumpi thotë se është objektiv i hetimit në përpjekjet për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020

Amerika

Trumpi thotë se është objektiv i hetimit në përpjekjet për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020

Më: 18 korrik 2023 Në ora: 18:24
Donald Trump

Ish-presidenti Donald Trump tha të martën se ai kishte marrë një letër që e informonte se është objektivi i hetimit të Departamentit të Drejtësisë në përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, një tregues se së shpejti ndaj tij mund të ngrihen akuza nga prokurorët federalë.

Zoti Trump e bëri njoftimin në një postim në platformën e tij “Truth Social”, duke thënë se ai mori letrën ndërsa ishte me familjen e tij të dielën mbrëma.

Një letër e tillë mund t'i paraprijë një aktakuze dhe përdoret për të njoftuar individët që prokurorët kanë prova që i lidhin ata me një vepër penale. Zoti Trump mori një letër të tillë përpara se të akuzohej muajin e kaluar në një hetim të veçantë lidhur me marrjen e dokumenteve të klasifikuara kur u largua nga Shtëpia e Bardhë.

Një zëdhënës i Prokurorit të Posaçëm Jack Smith, zyra e të cilit drejton hetimin, nuk pranoi të komentojë.

Prokurorët po bëjnë hetime të hollësishme lidhur me përpjekjet e ish-presidentit Trump dhe aleatëve të tij për të penguar transferimin e pushtetit tek demokrati Joe Biden.

Zoti Trump, i cili aktualisht është kandidati kryesor për president mes republikanëve ka në plan të shkojë në Ajova të martën, ku ai do t’i japë një intervistë kanalit Fox News.

Prokurorët në shtetin Xhorxhia po kryejnë një hetim të veçantë mbi përpjekjet e zotit Trump për të ndryshuar ligjin zgjedhor në atë shtet. Prokurorja për këtë rast ka sinjalizuar do t’i shpallë vendimet lidhur me akuzat së shpejti.

Në postimin e tij, zoti Trump shkruante se " më kanë paditur deri tani tre herë... me një akuzë të katërt që ndoshta vjen nga Atlanta (kryeqyteti i Xhorxhias)" duke shtuar me germa të mëdha, "Kjo gjueti shtrigash përbën ndërhyrje në zgjedhje dhe shfrytëzim plotësisht politik të forcave të rendit!”

Zoti Trump u padit muajin e kaluar për 37 akuza për krime, që lidhen me mbajtjen e paligjshme të qindra dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij Mar-a-Lago në Florida. Ai e ka deklaruar veten të pafajshëm./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat