Miçigan, akuza ndaj 16 elektorëve të rremë për zotin Donald Trump

Amerika

Miçigan, akuza ndaj 16 elektorëve të rremë për zotin Donald Trump

Më: 19 korrik 2023 Në ora: 20:18
Prokurorja e Përgjithshme e Miçiganit Dana Nessel, Fotografi e 5 Marsit 2020.

Ish presidenti amerikan, Donald Trump bëri të ditur dje se ka marrë një letër nga prokurori i posaçëm, Jack Smith ku njoftohet se është objekt hetimi nën dyshimet se ka bërë përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Po për të njëjtën çështje, po dje, Prokurorja e Përgjithshme e shtetit të Miçiganit ngriti akuza kriminale kundër 16 republikanëve që vepruan si elektorë të rremë në vitin 2020 për zotin Trump. Ata akuzohen se kishin dorëzuar certifikata të falsifikuara, që më pas të përmbysnin rezultatin e zgjedhjeve, që në këtë shtet ishin fituar nga kandidati demokrat, Joe Biden.

Prokurorja e Përgjithshme e Miçiganit Dana Nessel, demokrate, njoftoi se të 16 personat do të përballen me tetë akuza penale, përfshirë komplot për të kryer falsifikim zgjedhor.

Nëse shpallen fajtorë ata mund të dënohen nga pesë deri në 14 vjet burg secili. Mes të akuzuarve janë edhe tre ish-zyrtarë të lartë të Partisë Republikane të Miçiganit.

“Ne pretendojmë se 16 persona u takuan fshehurazi në bodrumin e selisë së Partisë Republikane në Miçigan dhe me vetëdije dhe me vullnetin e tyre, nënshkruan emrat në certifikata të shumta duke deklaruar se ata ishin elektorë të zgjedhur dhe të kualifikuar për shtetin e Miçiganit. Ky ishte një mashtrim”, njoftoi prokurorja e përgjithshme e Miçiganit, Dana Nessel.

Para zgjedhjeve, çdo parti përcakton emrat e elektorëve të vet. Në përfundim të zgjedhjeve, asambleja e shtetit certifikon fituesin dhe në muajin dhjetor, elektorët mblidhen për të hedhur formalisht votën për fituesin. Në Miçigan, pas fitores së Joe Bidenit, elektorët duhej të ishin demokratë.

Sipas akuzës, grupi është takuar brenda selisë së atëhershme të Partisë Republikane në Miçigan, më 14 dhjetor 2020. Individët e akuzuar kanë nënshkruar emrat e tyre në certifikata ku thuhej se ata ishin elektorët e kualifikuar për zotin Trump. Këto dokumenta false më pas iu dërguan asamblesë së shtetit, që sipas akuzës, të mund të përdoreshin për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

“Të akuzuarit i kryen këto veprime me shpresën dhe besimin se votat elektorale të Miçiganit të vitit 2020 do t'i jepeshin kandidatit të zgjedhur prej tyre në vend të kandidatit që votuesit e Miçiganit në të vërtetë zgjodhën. Pas nënshkrimit të dokumenteve false, disa prej tyre u përpoqën të hynin në asamblenë e shtetit dhe të dorëzonin votat e tyre elektorale të fabrikuara në Senat, por u refuzuan”, sqaroi më tej prokurorja e rastit, Dana Nessel.

Meshawn Maddock, një nga 16 personat e akuzuar, është bashkëshortja e ligjvënësit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit të Miçiganit, Matt Maddock.

Një tjetër e akuzuar është dhe Marian Sheridan, bashkëthemeluese e “Koalicionit Konservator të Miçiganit”. Në një video të publikuar nga agjencia e lajmeve Reuters, zonja Sheridan shihet duke trajnuar një grup vëzhguesish republikanë më 14 Dhjetor 2020 për të sfiduar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, që u fituan nga demokrati, Joe Biden.

“Qytetarët amerikanë duhet të shikojnë dhe të sigurohen që ne të gjithë kemi besim në sistemin tonë zgjedhor. Gjithçka është ngatërruar nga situata me Covid-19, dhe presidenti Trump është shumë i shqetësuar për këtë. Ai po i inkurajon njerëzit që të përfshihen më shumë”, tha zonja Sheridan pas trajnimit të organizuar në dhjetorin e vitit 2020.

Verifikimet e shumta treguan se kandidati Joe Biden kishte marrë më shumë se 2.8 milionë vota në Miçigan, rreth 154,000 vota më shumë se ish presidenti Trump, tha më tej Prokurorja e Përgjithshme e Miçiganit, Nessel. Kandidati, që fiton zgjedhjet në Miçigan merr 16 vota elektorale.

Përpos Miçiganit, janë edhe gjashtë shtete të tjera amerikane ku bëhet betejë më e madhe për të fituar zgjedhjet, në të cilat mbështetësit e zotit Trump nënshkruan certifikata që deklaronin në mënyrë të rreme se ai kishte fituar zgjedhjet në shtetet e tyre dhe jo zoti Biden.

Certifikata të tilla të rreme u përdorën në Arizona, Xhorxhia, Nju Meksiko, Nevada, Pensilvani dhe Viskonsin.

Edhe vet ish presidenti Trump është objekt i një hetimi me dyshimet se ka bërë përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Për këtë zoti Trump, njoftoi të martën përmes rrjetit social “Truth” duke treguar se kishte marrë një letër nga Prokurori i Posaçëm, Jack Smith.

Gjatë një interviste të martën në mbrëmje me televizionin amerikan, Fox News, zoti Trump që është kandidati kryesor i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, e quajti këtë hetim një “ndërhyrje në zgjedhje”.

“E mora letrën të dielën në mbrëmje. Ata nuk kanë dërguar ndonjëherë letra të dielave në mbrëmje. Ata po nxitojnë, sepse duan të ndërhyjnë, është ndërhyrje në zgjedhje”, tha zoti Trump.

Zoti Trump përballet me disa procese ligjore kundër tij. Ai tanimë është shpallur fajtor për abuzim seksual kundër autores Jean Caroll. Zoti Trump gjithashtu përballet me akuzën penale për marrjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete, kur është larguar nga Shtëpia e Bardhë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat