Sinjalizuesi thotë në Kongres se qeveria po mban të fshehtë një program për kapjen e UFO-ve

Amerika

Sinjalizuesi thotë në Kongres se qeveria po mban të fshehtë një program për kapjen e UFO-ve

Më: 27 korrik 2023 Në ora: 06:09
Kongres

Shtetet e Bashkuara po mbajnë të fshehtë prej shumë kohësh një program që zbërthen anën inxhinierike të objekteve ajrore të paidentifikuara, tha në një seancë dëgjimore në Kongres një ish punonjës zbulimi i Forcave Ajrore amerikane. Pentagoni i ka hedhur poshtë pretendimet.

Dëshmia e shumëpritur e majorit në pension, David Grusch, para një nënkomisioni të Dhomës së Përfaqësuesve, është përpjekja më e fundit e Kongresit për të hedhur dritë mbi "fenomenet ajrore të paidentifikuara", UAP, termi zyrtar që përdor qeveria amerikane në vend të UFO-ve.

Ndërsa studimi i mjeteve fluturuese ose objekteve misterioze shpesh sjell në qendër të vëmendje zhargonin për alienët, demokratët dhe republikanët kanë kërkuar më shumë hulumtime, duke e lidhur çështjen me sigurinë kombëtare për shkak të shqetësimeve se ato mjetet që kanë vënë re pilotët mund të kenë lidhje me vendet kundërshtare të Shteteve të Bashkuara.

Zoti Grusch tha se në vitin 2019 atij iu kërkua nga kreu i një ekipi qeveritar për fenomenet ajrore të paidentifikuara, UAP, që të identifikojë të gjitha programet sekrete që kanë lidhje me misionin e ekipit në fjalë. Në atë kohë, ai punonte në Zyrën Kombëtare të Zbulimit, agjencia amerikane që operon satelitët spiunë.

“Gjatë kryerjes së detyrave zyrtare u informova për një program prej disa dekadash për gjetjen e mjeteve UAP të rrëzuara dhe zbërthimin e anës inxhinierike të tyre, në të cilin nuk mu lejua qasja”, tha ai.

I pyetur nëse qeveria amerikane kishte të dhëna mbi jetën jashtëtokësore, zoti Grusch tha se ka të ngjarë që SHBA-të të ketë qenë në dijeni të aktivitetit "jo-njerëzor" që nga vitet 1930. Pentagoni i ka mohuar pretendimet.

Zëdhënësja e Departamentit të Mbrojtjes, Sue Gough, tha përmes një deklarate se hetuesit nuk kanë zbuluar “ndonjë informacion të verifikueshëm për të vërtetuar pretendimet se ka ekzistuar në të kaluarën apo tani ndonjë program në lidhje me zotërimin apo zbërthimin e teknologjisë së objekteve jashtëtokësore”.

Deklarata nuk adresoi UFO-t, objektet fluturuese të paidentifikuara, që nuk dyshohet se janë objekte jashtëtokësore./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat