Mbrojtësit e të drejtave të migrantëve përshëndesin vendimin që bllokon politikën e Presidentit Biden për azilin

Amerika

Mbrojtësit e të drejtave të migrantëve përshëndesin vendimin që bllokon politikën e Presidentit Biden për azilin

Më: 28 korrik 2023 Në ora: 15:19
Foto ilustrim

Këtë javë, një gjykatës federal bllokoi një vendim të diskutueshëm të administratës së Presidentit Biden për migrantët. Vendimi i bllokuar nga gjykata ndëshkonte migrantët që kalojnë kufirin drejt Shteteve të Bashkuara pa kërkuar fillimisht mbrojtje ligjore në një vend tjetër, përmes të cilit kanë kaluar, ose pa siguruar më parë një takim me zyrtarët e imigracionit.

Në Kaliforni, gjykatësi Jon Tigar bllokoi zbatimin e një vendimi të administratës së Presidentit Biden, i cili ka ngjallur polemika dhe që synonte të zvogëlonte numrin e kalimeve të paligjshme përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.

Praktika e re, që filloi të zbatohej në muajin maj, përjashton nga e drejta për të kërkuar azil shumicën e migrantëve, nëse ata nuk kanë caktuar një takim më parë përmes internetit me zyrtarët e imigracionit, ose nëse nuk kanë kërkuar mbrojtje ligjore në një vend tjetër, përmes të cilit kanë kaluar gjatë rrugës për në SHBA, si për shembull Meksika.

Fernando García është drejtor ekzekutiv i Rrjetit Kufitar për të Drejtat e Njeriut, një organizatë jofitimprurëse me qendër në qytetin kufitar të El Pasos, në Teksas. Ai thotë për Zërin e Amerikës se vendimi i gjykatësit ishte i pritshëm.

“Mohimi i të drejtave nëse je pa dokumente është një praktikë e padrejtë. Pikërisht për këtë arsye gjykatësi e hodhi poshtë vendimin e administratës së Presidentit Biden”.

Vendimi vjen pas padisë së ngritur nga Unioni Amerikan i Lirive Civile dhe grupe të të drejtave të emigrantëve, me argumentin se kufizimet rrezikonin migrantët që largoheshin nga e keqja.

Gjykatësi i dha Departamentit të Drejtësisë 14 ditë për të apeluar vendimin. Zoti Garcia thotë se vendimi i gjykatësit do të mbrojë emigrantët që aplikojnë për azil në mënyrë të rregullt.

“Ndalimi i azilit po dëmtonte njerëzit që vinin në mënyrë të ligjshme për të kërkuar azil. Ne mendojmë se pas këtij vendimi duhet të pranohen kërkesat për azil dhe migrantët të mbrohen edhe pas 8 gushtit”, thotë për Zërin e Amerikës Fernando García, drejtor ekzekutiv i Rrjetit Kufitar për të Drejtat e Njeriut.

Emigrantja venezueliane Estefanía Briceño thotë se ishte rrëmbyer gjatë udhëtimit drejt kufirit me Shtetet e Bashkuara.

Ajo beson se vendimi i gjykatësit mund ta zvogëlojë rrezikun për migrantët si ajo, të cilët nuk mund të sigurojnë takime me zyrtarët e imigracionit përmes një aplikacioni të Agjencisë së Kufirit dhe Doganave. Aplikacioni synon të ndihmojë migrantët të caktojnë takime me zyrtarët e imigracionit.

“Kam frikë të qëndroj pranë një semafori me djalin tim, sepse mund të ma marrin atë, ose mund të më rrëmbejnë mua. Kjo është arsyeja pse dua të futem tani në Shtetet e Bashkuara. Nuk mund ta imagjinoj kthimin në vendin tim, duke patur parasysh situatën në të cilën ndodhemi, pasi kam kaluar gjashtë shtete. Kemi shpenzuar shumë para”, thotë Estefania Briseno.

Zyrtarët e administratës së Presidentit Biden thonë se rregullat e reja ulën me rreth 42% kalimet e paligjshme të kufirit në qershor dhe se ata do të vazhdojnë të zbatojnë rregullat për azilin ndërsa përgatiten të apelojnë vendimin e gjykatësit./VOA

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se janë të shqetësuar se heqja e kufizimeve mund të çojë në një rritje të re të prurjeve të migrantëve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat