Amerikani vrau cimeren e tij dhe e mbajti trupin e saj në dollap për dy muaj

Amerika

Amerikani vrau cimeren e tij dhe e mbajti trupin e saj në dollap për dy muaj

Më: 30 korrik 2023 Në ora: 15:56
George Anthony Bone

Një burrë në Las Vegas vrau cimeren e tij dhe jetoi me trupin e saj të cilin e kishte fshehur brenda një dollapi për dy muaj, nga frika se ajo “do të ringjallej”, tha policia.

George Anthony Bone, 31-vjeçar u arrestua të mërkurën dhe u akuzua për vrasje pasi familja e viktimës gjeti kufomën brenda shtëpisë që ata ndanin, sipas Departamentit të Policisë Metropolitane të Las Vegas.

Viktima u identifikua si Beverly Ma, një shoqe e ngushtë e Bone nga shkolla e mesme, e cila u zhvendos për të jetuar me të verën e kaluar.

I akuzuari për vrasjen e saj, dyshohet se u tha policëve se Ma kishte vdekur “moti” dhe se ajo kishte kryer vetëvrasje, sipas dokumenteve të gjykatës të siguruara nga 8 News Now.

Hetuesit u thirrën në vendin e ngjarjes kur familja e viktimës kishte vizituar shtëpinë për të sqaruar shkakun e një faturë jashtëzakonisht të lartë të ajrit të kondicionuar.

Bone dyshohet se i tha njërës anëtare të familjes që Ma “kishte vdekur” dhe kishte qenë në dollap për dy muaj, përpara se t’i tregonte kufomën.

“Familjarja vuri re një kondicioner në derën e dollapit të dhomës së gjumit dhe në fund të derës kishte një peshqir, i cili mbulonte boshllëkun”, thuhet në dokumente.

“George i tha asaj se ajo mund ta hapë dollapin dhe të shohë”.

Megjithëse shkaku i vdekjes së gruas është ende nën hetim, policia përcaktoi se ajo ishte viktimë e një vrasjeje dhe dyshon se ajo ishte mbytur, tregojnë dokumentet.

Hetuesit gjithashtu besojnë se ajo u vra më 4 maj – në të njëjtën ditë ajo bëri një telefonatë të furishme polici, ku dëgjohet një fjalosje mes tyre. Telefonata përfundoi me zërin e gruas që pyeste “pse?”

Kur policia u përgjigj atë ditë dhe trokiti në derë, askush nuk u përgjigj, tha policia.

“Kur e pyetën pse nuk thirri për ndihmë, përgjigja e Bone ishte ‘Kisha frikë të kthehesha në burg… për t’u gjetur me një trup të pajetë”, sipas të dhënave të gjykatës.

Ai vazhdoi të jetonte në shtëpi me trupin e saj, dhe përfitoi edhe nga financat e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat