Çështjet gjyqësore ndaj ish-Presidentit Trump dhe Hunter Biden-it në epiqendër të vëmendjes

Amerika

Çështjet gjyqësore ndaj ish-Presidentit Trump dhe Hunter Biden-it në epiqendër të vëmendjes

Më: 31 korrik 2023 Në ora: 16:51

Sot u paraqit për herë të parë në gjykatë Carlos De Oliveira, punonjësi i rezidencës së ish-Presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago, i cili akuzohet për fshirjen e filmimeve të kamerave të sigurisë që kërkoheshin nga prokurorët që hetonin për dokumentet e klasifikuara. Prokurorët thonë se fshirja e filmimeve u bë me urdhër të ish-Presidentit Trump dhe se punonjësi gjithashtu gënjeu prokurorët gjatë marrjes në pyetje. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas, megjithëse u njoftuan gjithashtu akuza të reja penale ndaj tij, ish-Presidenti Trump sërish uli rëndësinë e tyre.

Gjatë një tubimi elektoral të shtunën në Pensilvani, ish-Presidenti Donald Trump, që po rikandidon për zgjedhjet presidenciale, sërish i hodhi poshtë akuzat e ngritura ndaj tij.

“Këto janë akuza qesharake. Kërkojnë të dëmtojnë kandidatin kryesor”, tha ai.

Të enjten e kaluar, prokurorët federalë shtuan tre akuza penale për konspiracion për të penguar drejtësinë, në kuadrin e hetimit të marrjes dhe mbajtjes së paautorizuar nga zoti Trump të dokumenteve të klasifikuara.

Ish-guvernatori i Nju Xhersit dhe tashmë kandidat republikan për zgjedhjet presidenciale, Chris Christie, i ftuar në emisionin “State of the Union” të CNN-it, tha se provat e reja mund të tregojnë se zoti Trump mund të ketë urdhëruar personelin të fshijë filmimet e kamerave të sigurisë.

“Kjo ka të bëjë me mbajtjen e informacionit të klasifikuar pas 18 muajsh që Donald Trump-it iu kërkua ta kthente vullnetarisht. Jo vetëm që nuk e ktheu, por edhe gënjeu”, tha zoti Christie.

Por kandidati tjetër republikan, Vivek Ramaswamy, i quajti procedurat ligjore “hetime politike” dhe përsëriti se nëse do të fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ai do të dekretonte faljen e zotit Trump.

“Absolutisht që mendoj se përgjigja e duhur për vendin është të lërë pas mosmarrëveshjet e së shkuarës”, tha ai.

Një tjetër çështje ligjore që ka tërhequr vëmendje është ajo ndaj Hunter Biden-it.

Të enjten e kaluar, djali i Presidentit Joe Biden pritej të pranonte fajësinë për mospagim të taksave, sipas një marrëveshjeje të arritur me prokurorët. Por, marrëveshja nuk u pranua në gjykatë dhe teksti po rishqyrtohet tashmë, me kërkesë të gjykatëses. Ish-prokurori Chuck Rosenberg foli për këtë çështje në emisionin “Meet the Press” të kanalit NBC.

“Është relativisht e thjeshtë për ta ndrequr, në rast se zoti Biden do të vazhdojë ta pranojë fajësinë. Dhe mendoj se është në interesin e tij, që të veprojë kështu”, tha zoti Rosenberg.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy përmendi rishtazi mundësinë e hapjes së një hetimi nga Dhoma e Përfaqësuesve ndaj Presidentit Biden, si fazë e parë e një procesi që mund të çojë deri në shkarkimin e presidentit, bazuar në akuza për shkelje financiare. I pyetur për këtë, Guvernatori republikan i Nju Hempshërit, Chris Sununu, dha këtë përgjigje.

“Amerika ka probleme të mëdha me shëndetin mendor, me krizën e opioideve, me përpjekjet për të siguruar kufirin. Preferoj të përqendrohem tek këto çështje”, tha ai.

Në një aktivitet në Mein për të folur për arritjet e politikave të tij ekonomike, Presidenti Biden bëri shaka të premten me idenë e hetimit për shkarkimin e tij. Ai e ka mohuar vazhdimisht të ketë biseduar me të birin për bizneset e tij në vende të tjera./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat