Bashkëpunëtori i Hunter Biden-it flet për thirrje të rastësishme telefonike mes tij dhe zotit Biden

Amerika

Bashkëpunëtori i Hunter Biden-it flet për thirrje të rastësishme telefonike mes tij dhe zotit Biden

Më: 1 gusht 2023 Në ora: 06:02
Foto nga vendi i ngjarjes

UASHINGTON, 31 korrik (Reuters) - Një dëshmitar në hetimin e udhëhequr nga republikanët për djalin e presidentit amerikan Joe Biden, Hunter Biden të hënën tha se i zoti Biden foli disa herë me bashkëpunëtorët e të birit, por nuk folën për marrëveshje biznesi, sipas një ligjvënësi demokrat.

Ish-bashkëpunëtori i Hunter Biden-it, Devon Archer u shfaq për një intervistë me dyer të mbyllura drejtuar nga Komisioni i Mbikëqyrjes së Dhomën e Përfaqësuesve, që ligjvënësit republikanë shpresonin se do të hidhte dritë mbi pretendimet e paprovuara se presidenti Biden ishte i përfshirë drejtpërdrejt në marrëdhëniet e biznesit të djalit të tij në Ukrainë.

Por përfaqësuesi demokrat Dan Goldman, i cili mori pjesë në seancë, u tha gazetarëve se zoti Archer nuk dha asnjë provë keqbërëse për presidentin Biden. Hetimi është përqëndruar në vitet kur zoti Biden ishte nënpresident në administratën e Presidentit Barack Obama, nga vitet 2009-2017.

“Nuk ka asnjë dëshmi se dikush tjetër përveç Hunter Biden-it mori ndonjë para në lidhje me transaksionet e bizmesit me Devon Archer-in”, tha ligjvënësi Goldman.

Ligjvënësi republikan Jim Jordan, i cili gjithashtu kryeson Komisionin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve u tha gazetarëve se sesioni ishte produktiv. Ai refuzoi të bënte komente të mëtejshme.

Ligjvënësi Goldman tha se zoti Archer u tha ligjvënësve se Hunter Biden-i fliste me babanë e tij çdo ditë ndërsa shërbente në bordin kompanisë energjetike ukrainase Burisma, dhe se nënpresidenti i atëhershëm Biden bisedoi me bashkëpunëtorët e biznesit dhe të tjerët me telefon rreth 20 herë në 10 vjet.

Republikanët kishin pritur përshkrimin e zotit Archer për këto telefonata për të ofruar prova inkriminuese kundër Joe Biden.

Përfaqësuesi republikan Andy Biggs, i cili tashmë ka qënë bashkë sponsorizues i një legjislacioni për shkarkimin e Presidentit Biden, tha se dëshmia e zotit Archer implikoi presidentin.

“Zoti Archer foli për ‘njeriun e rëndësishëm’ dhe se si Hunter Bideni gjithmonë thoshte: 'duhet të flasim me personin tim'”, u tha ligjvënësi Biggs gazetarëve.

"Mendoj se ne duhet të bëjmë një hetim për shkarkimin e presidentit."

Por ligjvënësi demokrat Goldman tha: "Ishin të gjitha biseda të rastësishme, për motin, çfarë po ndodh. Nuk kishte një bisedë të vetme për ndonjë nga marrëdhëniet e biznesit që kishte Hunteri".

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve pretendojnë se Hunter Biden përdori statusin e babait të tij si nënpresident në një skemë të shitjes së ndikimit ndërsa ai ishte në kompaninë Burisma gati një dekadë më parë.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti Joe Biden nuk ka qenë kurrë në biznes me djalin e tij.

Burisma luajti një rol qendror në vitin 2019 për fajësimin e ish presidentit Trump në përpjekjet e tij të supozuara për të bërë presion ndaj Ukrainës të hetonte familjen Biden dhe ta ndihmonte atë të fitonte rizgjedhjen. Senati me shumicë republikane e shpalli të pafajshëm zotin Trump.

Hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve është intensifikuar që nga ngritja e aktakuzave federale ndaj zotit Trump në qershor.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy ka paralajmëruar se republikanët mund të nisin një hetim për shkarkimin e Presidentit Biden nëse agjencitë federale nuk bashkëpunojnë me komisionet e mbikëqyrjes që po hetojnë marrëdhëniet e biznesit të familjes Biden.

Donald Trumpi, kandidati kryesor presidencial republikan i vitit 2024, shkoi një hap më tej këtë fundjavë në një miting në Pensilvani.

Ai u bëri thirrje republikanëve që të ndalojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën deri në dorëzimin e çdo prove nga Departamenti i Drejtësisë, FBI-ja dhe IRS për marrëdhëniet korruptive të biznesit dhe krimit të familjes Biden”.

“Çdo republikan që nuk vepron mbi mashtrimin e demokratëve duhet të përjashtohet menjëherë dhe të mos zgjidhet më. Jashtë!”, tha zoti Trump./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat