Kryeministri i Kanadas Justin Trudeau ndahet nga gruaja, Sophie, mbas 18 vjet martese

Amerika

Kryeministri i Kanadas Justin Trudeau ndahet nga gruaja, Sophie, mbas 18 vjet martese

Më: 2 gusht 2023 Në ora: 21:11
Justin Trudeau dhe gruaja e tij

Montreal CA: Qeveria kanadaze njoftoi sot (e mërkurë 2 gusht) se Kryeministri i saj Justin Trudeau dhe gruaja e tij, Sophie Grégoire Trudeau, po ndahen zyrtarisht.

Kryeministri dhe gruaja e tij sipas shtypit kanadez thanë në një deklaratë të përbashkët të postuar në llogaritë e tyre zyrtare në Instagram se ata kishin "shumë biseda domethënëse dhe të vështira" përpara vendimit të tyre për ndarje.

“Si gjithmonë, ne mbetemi një familje e ngushtë me dashuri dhe respekt të thellë për njëri-tjetrin për gjithçka që kemi ndërtuar dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë”, ka shkruar ai.

Çifti ka kërkuar privatësi në shenjë respekti për mirëqenien e fëmijëve, pas ndarjes.

Zyra e Justin Trudeau tha në një deklaratë pas lajmit se çifti kanë nënshkruar një "marrëveshje ligjore ndarjeje".

"Ata kanë punuar për të siguruar që të gjithë hapat ligjorë dhe etikë në lidhje me vendimin e tyre për t'u ndarë janë marrë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë duke ecur përpara," tha zyra e tij.

Zyra e kryeministrit tha gjithashtu se çifti është i fokusuar në rritjen e fëmijëve të tyre në një mjedis të sigurt, të dashur dhe bashkëpunues.

“Të dy prindërit do të jenë një prani e vazhdueshme në jetën e fëmijëve të tyre dhe kanadezët mund të presin që shpesh ta shohin familjen së bashku”, thuhet në deklaratë. “Familja do të jetë së bashku me pushime, duke filluar nga java e ardhshme”.

Sophie dhe Justin Trudeau u takuan për herë të parë si fëmijë në Montreal dhe u “afruan” përsëri në një ngjarje bamirësie në 2003, sipas Vogue. Ata u martuan në vitin 2005 dhe kanë tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë.

Sophie Grégoire Trudeau është një ish-prezantuese televizive e cila ka fituar një diplomë bachelor në komunikim nga Université de Montréal. Sipas biografisë së saj në faqen e internetit të Partisë Liberale të Kanadasë, ajo ka përdorur platformën e saj për të mbrojtur një sërë kauzash, duke përfshirë çështjet e barazisë gjinore.

Ajo fitoi Çmimin e Njohjes së Komitetit Kombëtar të UN Women në Kanada në vitin 2013 për kontributin e saj në çështjet e të drejtave të njeriut, thuhet në sajt.

Justin Trudeau, djali i ish-kryeministrit kanadez Pierre Elliott Trudeau, ishte lider i Partisë Liberale në 2013 dhe fitoi zgjedhjet e tij të para për kryeministër dy vjet më vonë. Që atëherë ai është rizgjedhur në 2019 dhe 2021.

Trudeau e ka lavdëruar publikisht gruan e tij ndër vite, së fundmi në një postim në ditëlindjen e saj në prill. Ai postoi dy selfie me të në rrjetet e tij sociale me një mbishkrim ku shpreh dashurinë e tij për të.

“Nga kjo, tek kjo dhe çdo gjë në mes, nuk ka askënd që do të preferoja ta kisha pranë”, shkroi ai.

Ai gjithashtu e lavdëroi atë dhe nënën e tij si dy nga "njerëzit më të fortë, më të guximshëm dhe më të mëdhenj" në një postim për Ditën e Nënës në maj.

Sophie Grégoire Trudeau ofroi lëvdata të ngjashme për bashkëshortin e saj në një postim për Ditën e Babait në qershor.

“Ky njeri mund ta mbajë kudo dashurinë që ka për fëmijët e tij”, ka shkruar ajo. "Baba, kurrë mos e nënvlerësoni rolin tuaj si mentorë në familjen tuaj për djemtë dhe vajzat tuaja."shkroi ajo në qershor, dy muaj më parë se të ndahen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat