Kandidatët republikanë fushatë në shtetin e Ajovas

Amerika

Kandidatët republikanë fushatë në shtetin e Ajovas

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 22:14
Panairi Shtetëror i Ajovas

Kandidatët republikanë po bëjnë fushatë në Panairin Shtetëror të Ajovas. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, Ajova është shteti i parë ku zhvillohen votimet paraprake për kandidatët për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Mbi një milion njerëz e vizitojnë çdo vit Panairin Shtetëror të Ajovas.

Banori i qytetit Cedar Rapids, Rick Stewart, këtë vit nuk po merr pjesë vetëm për të parë ato që ekspozohen aty, por për të kryer një detyrë qytetare.

“Kjo është një mundësi për të parë të gjithë kandidatët për president. Mendoj se është detyrim personal të vij këtu sepse pjesa tjetër e vendit po mbështetet tek ne për të zgjedhur kandidatin më të mirë në janarin e ardhshëm”, thotë Rick Stewart, banor i këtij shteti amerikan.

Presidenti Joe Biden është kandidati i mundshëm për demokratët në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe anketat tregojnë se ish-presidenti Donald Trump është kandidati kryesor i Partisë Republikane.

“Të jem e sinqertë, unë jam mbështetëse e Trumpit, por dua të dëgjoj se çfarë kanë për të thënë kandidatët e tjerë”, thotë Celia Chriswell, votuese në Ajova.

Zonja Chriswell ishte ulur në rreshtin e parë përballë skenës, ku kandidatët, si kryetari i bashkisë së qytetit Majami, Francis Suarez dhe biznesmenit Perry Johnson, prezantojnë programet e tyre politike. Të dy kandidatët, sipas anketave, janë shumë pas zotit Trump.

“Ndoshta në vitin 2028 disa nga këta njerëz do të ishin kandidatë të mirë për presidencën. Ndoshta janë mundësi e mirë për nënpresident edhe tani”, thotë zonja Chriswell.

Ish presidenti Trump e ka vizituar Ajovan më rrallë se kandidatët e tjerë që kërkojnë të fitojnë emërimin e partisë si kandidatë për president. Megjithatë, ai gëzon mbështetje të fortë mes votuesve republikanë.

Shumica e kandidatëve dolën në skenë, ose morën pjesë në bisedat që u organizuan nga Guvernatorja Kim Reynolds, por zoti Trump nuk pranoi, duke preferuar të vizitojë panairin për disa orë të shtunën ndërsa ecte mes turmave që brohorisnin.

Terri Rumpf udhëtoi nga shteti i Indianës, me arsyen e veçantë për të kërkuar një alternativë ndaj zotit Trump.

“Krahasimet që bëhen me Bidenin për moshën nuk është gjë e mirë. Plus, Trumpi ka aq shumë telashe. Nuk dua të shohë trazira në rrugë për katër vjet të tjera”, thotë zonja Rumpf.

Votuesi Rick Stewart, ndërkaq, ka dyshime se zoti Trump mund të fitojë ndaj presidentit Biden.

“Ne duam të fitojmë zgjedhjet e përgjithshme. Kandidati më i mirë që ka mundësinë ta bëjë këtë duhet të jetë kandidati ynë. Unë nuk besoj se Trumpi është ai kandidat”, thotë zoti Stewart.

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Ajovas, Tim Hagle, thotë se zoti Stewart nuk është i vetëm në dyshimet e tij.

Sinqerisht, ky duket të jetë qëndrimi i jo pak republikanëve, por ky numër nuk është ende i mjaftueshëm për t’u dhënë shtytje disa prej kandidatëve të tjerë”, thotë profesori Hagle.

Ai thotë se rezultati i mirë në Ajova është me rëndësi të madhe për ata që shpresojnë të kalojnë zotin Trump në garën për emërimin e partisë, siç është rasti me Guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis.

“Zoti DeSantis, ka nevojë për një rezultat të mirë në Ajova, edhe nëse del në vend të dytë, që të ketë ende shpresa për të ardhmen. Por, për zotin Trump, nëse ai fiton dhe veçanërisht, nëse fiton thellë në Ajova, ka mundësi që kjo tregon se ai do ta sigurojë emërimin e partisë”, thotë profesor Hagle.

Votuesi Rick Stewart thotë se nuk është gati të vendosë për një kandidat.

“Unë besoj se çdo kandidat republikan që kam parë deri tani mund ta mposht presidentin Biden. Por nuk do të zgjedh një të preferuar derisa t'i shoh të gjithë”, thotë zoti Stewart.

Votuesit republikanë të Ajovas marrin pjesë në votimin brenda partisë së tyre më 15 janar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat